E Hënë, 2 Nëntor 2026

LZHK refuzon koalicionin me PD-në

23/01/2005  Lëvizja për Zhvillim Kombëtar deklaron se nuk do të bëjë koalicion parazgjedhor me Partinë Demokratike. Kryetari i komisionit Politik të LZHK-së, Tomorr Malasi, ka dalë dje në një konferencë për shtyp, gjatë së cilës ka përjashtuar çdo lloj bashkëpunimi parazgjedhor me partinë më të madhe opozitare. Në zgjedhjet e ardhshme, LZHK do të konkurrojë e vetme, duke përjashtuar çdo lloj mundësie për një koalicion me PD-në përpara zgjedhjeve. "LZHK, në fushatën e zgjedhjeve të 2005-ës, do të shpalosë alternativën e saj, që synon të ringjallë besimin e shqiptarëve dhe të rikthejë rregullat e lojës në politikë", tha Malasi. Lëvizja e drejtuar nga Leka Zogu e ka konsideruar si të vonuar reagimin e PD-së, e cila është shprehur pozitivisht ndaj një koalicioni të mundshëm me të gjitha partitë e djathta. Sipas Malasit, tashmë LZHK-ja ka përfunduar strategjinë e saj zgjedhore, si dhe ka ngritur strukturat për të përballuar e vetme fushatën. "Ftesën e bërë nëpërmjet mediave nga PD-ja, ne e konsiderojmë si të vonuar, pasi tashmë ne kemi përfunduar strategjinë elektorale, si dhe kemi ngritur strukturat në bazë për përballimin e fushatës", tha Malasi. Por nuk janë vetëm përfaqësuesit e kësaj lëvizjeje, ata që e shohin me skepticizëm mundësinë e koalicionit. Kundër bashkëpunimit me ish-partitë aleate, që sot aderojnë në Lëvizjen e inicuar nga Leka Zogu, janë dhe një pjesë e mirë e drejtuesve të PD-së dhe anëtarësisë së saj, pavarësisht nga dëshira e Berishës për një koalicion mes partive të opozitës. Rryma kundër koalicionit me LZHK-në në PD, vjen si pasojë e qëndrimeve të disa prej deputetëve të partive ish-aleate, të cilët, sipas kundërshtarëve të koalicionit, kanë bashkuar votat me mazhorancën në parlament për çështje të ndryshme. Kjo ka sjellë pakënaqësi mes deputetëve të grupit parlamentar të PD-së, disa prej tyre janë anëtarë të kryesisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›