E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Kartat, jo sanksione për ata që kanë pasaporta

Shtetasit që kanë pasaportë nuk
janë të detyruar të marrin kartën
e identitetit. Këtë vendim e bëri
të ditur Kryeministri Sali Berisha,
në mbledhjen e radhës së qeverisë. Sipas
kreut të qeverisë, Sali Berisha është
rënë dakord që personat e pajisur me
pasaportë të mos shtrëngohen për t‘u
pajisur me kartë identiteti. Në këtë
mënyrë, Kryeministri Berisha i ka dhënë
të drejtë opozitës për një tjetër kërkesë
të saj, që lidhet me procesin e pajisjes së
shtetasve shqiptarë me kartat e identitetit.
Kryeministri Berisha paralajmëroi
në mbledhjen e qeverisë heqjen e shtrëngesave
kohore për të gjithë personat
e pajisur me pasaportë. Të gjithë ata
që kanë një pasaportë të vlefshme
mund të kryejnë në çdo moment aplikimin,
pa pasur frikën se më 15 shkurt,
apo më 31 mars, do të penalizohen, duke
mos marrë rrogën, pensionin, apo ndonjë
shërbim tjetër publik. "Për ata që kanë
pasaporta jam dakord për të bërë një
raund të dytë diskutimesh", u shpreh
Berisha. Kryeministri Berisha mbështeti
kështu propozimet e opozitës për
heqjen e masave shtrënguese në pajisjen
me letërnjoftim për qytetarët që
kanë pasaporta. "Lidhur me propozimet
e opozitës, që kërkon heqjen e shtrëngimeve
për ata që kanë pasaporta për
pajisjen me letërnjoftim, unë jam plotësisht
dakord të shqyrtohen dhe i presim
me shkrim propozimet", theksoi Berisha.
Nga ana tjetër, kreu i qeverisë nuk la pa
përmendur as buxhetin e bashkisë më
të madhe të vendit. Lidhur me mosmiratimin
nga Këshilli Bashkiak i projektbuxhetit
për Tiranën, Kryeministri Berisha
u shpreh se kryetari i bashkisë duhet
ta diskutojë atë me këshilltarët
bashkiakë, si përfaqësues të zgjedhur.
"Natyrisht, konstatoj se rrëzimi i buxhetit
ka krijuar probleme madhore, ligjore
e morale te kryetari me korrespondencë
i Bashkisë së Tiranës, por, sërish,
uroj që buxhetin ta diskutojë me
këshilltarët, si përfaqësues të zgjedhur.
Buxhetin mund t‘ua shpjegojë edhe atyre,
por nuk e zgjidh dot me ta, sepse votat
i kanë këshilltarët", tha Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›