Berisha: Kashari do të shpallet bashki
Kryeministri Sali Berisha premton të kthejë Kasharin në bashki, në rast se fiton një mandat të dytë qeverisës. "Kjo mazhorancë do të përdorë të gjithë mbështetjen e vet për t‘iu shpallur juve bashki, pasi ju e meritoni plotësisht. Kashari do të shpallet bashki, sepse këtu keni një zonë të urbanizuar më mirë se çdo lagje e Tiranës", u shpreh Berisha. Duke argumentuar arsyet se pse Kashari duhet të kthehet në bashki, Kryeministri theksoi se "Kashari do të shpallet bashki, sepse numëron mbi dymijë biznese, do të shpallet bashki, sepse inauguron dy shkolla të mesme, Kashari do të shpallet bashki sepse i plotëson të gjitha kushtet për të qenë e tillë". Përballë mbështetësve të përkrahësve në Kashar në një takim masiv, Kryeministri Berisha lëshoi një premtim të rëndësishëm për banorët e kësaj zone. "Kashari do të shpallet bashki, sepse ka biznese, dy shkolla dhe i plotëson të gjitha kushtet për të qenë i tillë", u shpreh ai. Në premtimet e tij, Berisha shtoi se 100 mijë dollarë në vit do të jetë bursa e qeverisë për studentët që do të studiojnë në dhjetë universitetet më të mira të botës. "Qeveria është e gatshme të paguajë për secilin prej jush, që do të fitojë të drejtën të ndjekë studimet në një nga dhjetë universitetet më të mira të botës deri në gjysmë milioni dollarë. Ju siguroj se këtë mbështetje e kemi shumë serioze, vetëm ju kërkoj që të jeni ambiciozë, kuptohet në sensin pozitiv", u shpreh Kryeministri. Ai theksoi se "ne do t‘iu mbështesim. Sado që është shumë e kushtueshme, pasi dhjetë universitetet e para e kanë çmimin ‘të kripur‘, çdo e re apo i ri që fiton të drejtën e studimit në një prej këtyre universiteteve do të ketë mbështetjen e përvitshme të qeverisë, me kusht që ai të kthehet e të punojë shtatë vjet për vendin e tij".