Durrës, ish të përndjekurit politikë kërkojnë shkarkimin e ministrit Alibeaj
Ish të burgosurit politikë të Durrësit kërkojnë shkarkimin e ministrit të Drejtësisë, Alibeaj, ndërsa kanë denoncuar listat e hartuara e të publikuara për dëmshpërblimin e viteve të burgut politik nga Ministria e Drejtësisë. Një përfaqësi e ish të dënuarve dhe të persekutuarve politikë në Durrës pretendojnë se në lista janë përfshirë spiunë profesionistë të ish-Sigurimit që janë marrë nga zyrat teknike, që në të vërtetë ishin "zyra operative të Sigurimit dhe Partisë së Punës". Deklarata është lexuar nga Asllan Patrioti. Ai u shpreh se për këto shqetësime kanë kontaktuar drejtorin e Institutit të të Përndjekurve Politikë, Simon Miraka, si dhe ka kërkuar takim me ministrin e Drejtësisë, Enkeled Alibeaj. "Hasëm rezistencë dhe dhunë nga rojet e ministrisë, madje dhe ministri përdori një sjellje prej rrugaçi dhe jo të denjë për të drejtuar një institucion drejtësie", u shpreh Patrioti, duke i bërë thirrje Kryeministrit Sali Berisha të shkarkojë kreun e institutit, Simon Miraka, dhe ministrin e Drejtësisë, Enkeled Alibeaj. Ish të përndjekurit kanë kërkuar që të përjashtohen nga taksat buxhetore, të jenë pjesë e skemë së përfitimit të medikamenteve mjekësore me rimbursim, të favorizohen në punësim të gjithë ish të dënuarit politikë që kanë nevojë, si dhe t‘u jepet e drejta, për çdo të dënuar padrejtësisht, për pajisje me vizë sipas vendimit të Parlamentit. Brenda muajit maj, ish të burgosurit politikë kanë kërkuar shpalljen e listave korrekte dhe transparente me emrat përfitues të dëmshpërblimit dhe formën e sasinë e barabartë të parave.