E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria, në udhëkryq për tenderin e helikopterëve

Gjatë vizitës së Kryeministrit Berisha në Francë, Presidenti Nikolas Sarkozi premtoi mbështetjen franceze kur Shqipëria të aplikojë për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian.

Por ajo që nuk u tha nga njoftimet zyrtare shqiptare, ishte se Presidenti francez i bëri të qartë Kryeministrit shqiptar vëmendjen me të cilën po ndjek tenderin e ushtrisë shqiptare për blerjen e disa helikopterëve të rinj, një insinuatë indirekte për të pasur në vëmendje ofertën franceze për "Eurokopter". Burime diplomatike italiane i pohuan "Top Channel" se po me aq vëmendje e ndjekin këtë tender edhe në Romë, e cila ka bërë ofertën e saj me helikopterë "Agusta", ndërkohë që amerikanët, që na mbështetën aq shumë, janë gjithashtu në garë. Përtej deklaratave mbështetëse dhe përqafimeve, shumë shpejt qeveria do të bëjë një zgjedhje mes tre rivalëve të fortë, që nuk mund t‘i bëjë ata të gjithë të kënaqur. Revista franceze "L‘Expres" citon se Presidenti francez vuri theksin te rëndësia e projektit të blerjes së 17 helikopterëve ushtarakë "Eurokopter" nga Shqipëria. "Eurokopter", i krijuar nga një bashkim franko-gjerman në vitin 1992 dhe sot filial i EADS, është në garë për këtë kontratë me italianen "Agusta" të "Finmeçanica grup" dhe amerikanen "Sikorsky", nëndegë e "United Technologies", e cila prodhon ndër të tjera edhe helikopterët e famshëm "Blackhaëk". Gjatë konferencës për shtyp pas kthimit nga Franca, Kryeministri Berisha theksoi se "ky është trillim i Edi Ramës, i cili nga ora e Bushit kalon në shpifje të tilla". Por insinuata e gazetës "L‘Expres", e cila citon burime nga Presidenca, për një vizitë në Paris, dukshëm të nxitur edhe nga lobingu i fortë për blerjen e "Eurokopter", duket se mbështetet edhe nga fakte të tjera indirekte. Vetëm pak javë më parë, tre senatorë të rëndësishëm italianë, pjesëtarë të grupit parlamentar italian në Asamblenë e NATO-s, vizituan Tiranën. Edhe ata vlerësuan reformat në prag të anëtarësimit, por bënë të qartë se çfarë presin për këto komplimente, nga qeveria shqiptare.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›