PD nis punën për listën e deputetëve
Partia Demokratike ka përcaktuar dje në orët e vona të mbrëmjes modalitetet e fundit mbi kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët për deputetë që do të garojnë nën siglën e PD-së. Kryetari i demokratëve, Sali Berisha, ka mbledhur dje në orët e vona kryesinë e partisë, e cila i ka hapur rrugë edhe zgjedhjeve për kreun e demokratëve në Qarkun e Tiranës që do të pasohet më pas nga kongresi elektoral më 23 maj të Partisë Demokratike. Selia e demokratëve ka qëndruar në heshtje lidhur me vendimet që janë marrë në mbledhjen e cila zgjati më shumë se një orë. Burime pranë Partisë Demokratike bëjnë me dije se Kryeministri Berisha ka urdhëruar daljet publike të deputetëve, duke mbrojtur punën e qeverisë për këtë katërvjeçar. Programi i ri i PD-së do të bëhet publik bashkë me prezantimin e kandidatëve zyrtarë që do të garojnë nën siglën e PD-së më 23 maj.