E Hënë, 2 Nëntor 2026

Qeveria cakton sot axhendën zyrtare drejt Pragës

Kryeministri Sali Berisha ka zbardhur dje detajet e vizitës së 28 prillit drejt Pragës, për të kërkuar statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian. "Me Presidentin e Francës, Nikolas Sarkozi, diskutuam për të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe mora mbështetjen që kërkova", u shpreh Berisha. Sot, shefi i qeverisë do të zbardhë publikisht axhendën përpara se të niset drejt Pragës. "Unë nuk do të shkoj të aplikoj pa njoftuar qytetarët shqiptarë. Është një detyrim i imi dhe do t‘ua njoftoj nesër (sot), sikundër do ketë një akt të rëndësishëm", u shpreh Berisha. Kryeministri shtoi se "Franca dhe Presidenti Sarkozi mbështesin plotësisht Shqipërinë në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Për ju, ky proces është i parikthyeshëm". Shefi i qeverisë bëri me dije se kreu i shtetit francez do të vizitojë së shpejti Shqipërinë. Në rast se do të ndodhë kjo, Sarkozi do të jetë Presidenti i parë francez që do të vizitojë Tiranën. "Ministri i Jashtëm i Francës dhe miku im, Bernard Kushner, më premtoi se mbështet plotësisht aplikimin e Shqipërisë për statusin e kandidatit dhe liberalizimin e vizave me plotësimin e kushteve", theksoi Berisha. Sa i përket investimeve të huaja në Shqipëri, kreu i ekzekutivit bëri me dije se "unë mora siguri të plotë nga Presidenti Sarkozi se ai do të inkurajojë fuqishëm biznesin francez që të investojë në Shqipëri. Madje në vizitën e tij në Tiranë, ai do të shoqërohet nga një delegacion i biznesit të fuqishëm francez".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›