Berisha: Kaskada e Devollit do jetë investimi më i madh i 20 viteve në Shqipëri

Sali Berisha
Kreu i qeverisë në mbledhjen e qeverisë pas kthimit nga vizita dy ditore në Norvegji ka deklaruar me plot gojën se projekti i kaskadës së Drinit në Devoll do të realizohet. Berisha u shpreh ky do të jetë një nga investimet më të rëndësishme në Shqipëri në 20 vitet e fundit. Ai bëri të ditur se në fillim të vitit 2012 do të mbahet tenderi për kompaninë e cila do të realizojë punimet.
Kaskada e Drinit realiteti më i madh i investimeve në këto 20 vite në Shqipëri. Shpejt kjo ëndërr e bukur, kjo ëndërr e madhe do të fillojë të shndërrohet në realitet dhe këtë kontekst unë gjeta mirëkuptimin e plotë të qeverisë norvegjeze. Muajt e parë të vitit që vijnë do të hapet tenderi ndërkombëtarë për kompanitë që do ta ndërtojnë, u shpreh kryeministri.
Gjatë vizitës në Norvegji, Berisha u takua me drejtues të kompanive Statkraft dhe Statoil. Statkraft monitoron ecurinë mbi projektin e kaskadës së Devollit, në Shqipëri.
Gjithashtu në mbledhjen e Këshillit të Ministrave Berisha foli edhe për projektin e gazsjellësit Trans Adriatic Pipeline (TAP), i cili synon transportin e gazit nga fusha gazmbajtëse e Shah Deniz-it, në Azerbajxhan, në tregjet e Evropës Perëndimore.
Ai tha se projekti i cili parashikon kalimin nga Turqia, Greqia dhe Shqipëria është projekti më fleksibël dhe që kushton 2 miliard euro më pak.