E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi e Berisha përshëndesin paktin PS-PD

TIRANË Pakti mes dy partive kryesore në vend është përshëndetur dje edhe nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi dhe Kryeministri i vendit, Sali Berisha. “Presidenti mirëpret rikthimin e dialogut politik dhe institucional në parlament midis partive politike të mazhorancës dhe të opozitës. Dialogu politik për reformat institucionale, edhe pse i vonuar, përbën një detyrim dhe sfidë madhore për politikën shqiptare në përpjekjet e vendit tonë për arritjen e standardeve ndërkombëtare të anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, - thuhet në njoftimin për shtyp të Presidencës. Ndërsa kryeministri Berisha gjatë një takimi të zhvilluar në Norvegji me zëvendëspresidentin e Parlamentit, Per-Kristian Foss, u shpreh se Parlamenti sapo kishte marrë vendim për të zhbllokuar miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar, fillimin e reformës zgjedhore dhe asaj të rregullores së Parlamentit, kushte këto të vendosura edhe nga Bashkimi Europian. “Kryeministri nënvizoi se pas një bllokimi dyvjeçar të reformave kyçe, opozita më së fundi po i kthehej realitetit politik dhe shprehu shpresën se një kurs i tillë politik do të vazhdojë në interesin më të mirë të vendit. Ai siguroi bashkëbiseduesin se integrimi europian është projekti më i rëndësishëm i qeverisë së tij dhe se ky projekt bazohej vetëm në merita dhe reforma”, - thuhet në njoftimin për shtyp të Kryeministrisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›