E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Katari dhe Kuvajti të vlerësojnë Kosovën shtet



Kryeministri Sali Berisha siguron Emirin e Katarit, Sheikh Hamad bin Khalifa Al Thani, dhe Kryeministrin kuvajtian, Al Sabah, se në Shqipëri do të gjejnë kushte të përshtatshme për investime, por prej tyre Berisha kërkoi dje në Nju Jork që Kuvajti dhe Katari të vlerësojnë Kosovën shtet. Takimi mes dy personaliteteve të larta u bë dje në rezidencën e Misionit të Katarit pranë OKB-së në Nju Jork. Gjatë takimit, u diskutua edhe për njohjen e pavarësisë së Kosovës, ku Kryeministri Berisha u shpreh se shpresonte se edhe Katari do ta vlerësonte njohjen e Kosovës. Emiri Al Thani tha se ai vetë do të kishte një takim në Nju Jork me delegacionin e Kosovës dhe do të diskutonte me ta gjerësisht për këtë. Ndërkohë, ai u shpreh se e gëzonte ecja e Kosovës në rrugën e modernizimit. Edhe gjatë bisedës me Kryeministrin e Kuvajtit, Al Sabah, Kryeministri shqiptar u ndal edhe në zhvillimet e fundit në rajon, në veçanti në çështjen e njohjes se pavarësisë se shtetit më të ri evropian, Republikës së Kosovës. Kryeministri Berisha i theksoi homologut Al Sabah se njohja e shpejtë e Kosovës është dhe mbetet faktor thelbësor për paqen, sigurinë dhe stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe se çdo hap i ri në këtë drejtim do të shërbente si një kontribut i ri për forcimin e këtij stabiliteti dhe sigurie në rajon.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›