E Diel, 1 Nëntor 2026

Erdogan-Berisha: Njohja e shpejtë e Kosovës, rajoni më i sigurt



Kryeministri turk, Rexhep Taip Erdogan, nga Nju Jorku konsideron se njohja e shpejtë e pavarësisë së Kosovës e bën edhe më të sigurt të gjithë rajonin e Ballkanit. Këtë deklaratë z. Erdogan e bëri gjatë takimit që zhvilloi me Kryeministrin shqiptar, Sali Berisha, me të cilin ndau mendime të njëjta për sa i përket çështjes së Kosovës. Sipas tyre, njohja e shpejtë e shtetit më të ri të pavarur të Evropës, Republikës se Kosovës, është dhe mbetet faktor thelbësor për paqen, sigurinë dhe stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Gjatë takimit, të dy kryeministrat rishprehën vendosmërinë e tyre dhe të qeverive që ata drejtojnë për të forcuar edhe më tej këto marrëdhënie si edhe për të zgjeruar dhe thelluar bashkëpunimin e ngushtë në të gjitha fushat, në veçanti në fushën e ekonomisë dhe shkëmbimeve tregtare. Kryeministri turk, Erdogan, e siguroi Kryeministrin Berisha për vendosmërinë dhe përpjekjet e vazhdueshme të qeverisë turke për të nxitur investitorët turq për të ardhur dhe investuar në Shqipëri, duke e falënderuar njëkohësisht Kryeministrin Berisha për klimën e favorshme që qeveria shqiptare ka krijuar për biznesin dhe investitorët e huaj. Duke u ndalur në krizën globale, Kryeministri Berisha u shpreh se reformat ekonomike e financiare që qeveria shqiptare ndërmori në mandatin që sapo u mbyll, 2005-2009, kanë bërë të mundur që pesha e krizës globale të mos sjellë pasoja të konsiderueshme në vend dhe se ekonomia shqiptare vazhdoi të rritet me ritme të larta edhe gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2009.

Duke e përgëzuar për këto arritje dhe për mbarëvajtjen e ekonomisë në vend si pasojë e reformave te qeverisë shqiptare, Kryeministri Erdogan theksoi se do të mbetet përherë e paharruar për të dita e përurimit te veprës madhështore, rrugës Durrës-Kukës-Morinë dhe pritja e ngrohtë që iu rezervua në atë ditë të shënuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›