SHBA, Liri Berisha, bashkëkryetare nderi në konferencën botërore të autizmit
Znj. Liri Berisha ishte dje bashkëkryetare nderi në konferencën ndërkombëtare të autizmit, të zhvilluar në Nju Jork. “Autism Speaks”, në partneritet me organizata të tjera, midis të cilave edhe Fondacioni i Fëmijëve Shqiptarë, presidente e të cilit është znj. Liri Berisha, organizoi në Nju Jork konferencën ndërkombëtare të autizmit “World Focus on Autism”. Pjesëmarrës në këtë organizatë ishin zonja të para nga e gjithë bota, mjekë, sociologë, psikologë etj. Fondacioni i Fëmijëve Shqiptarë merrte pjesë në këtë konferencë si një prej organizatorëve dhe znj. Berisha në rolin e bashkëkryetares së nderit. “Autism Speakes” është qendra më e madhe për autizmin në Nju Jork e themeluar në vitin 2005, e cila ka për qëllim financimin dhe mbështetjen e kërkimit shkencor, parandalimit, trajtimit dhe kurimit të autizmit. Fondacioni i Fëmijëve Shqiptarë “Domenick Scaglione” dhe presidentja e tij, znj. Liri Berisha, kanë një partneritet të ngushtë me këtë qendër. Në 2 prill të këtij viti, në Ditën e Kombeve të Bashkuara për Autizmin, Fondacioni i Fëmijëve Shqiptarë është bërë pjesë e nismës globale për studimin e autizmit. Konferenca e mbajtur në Nju Jork është një konfirmim i dëshirës së mirë në këtë drejtim dhe mbahet për herë të dytë dhe nën kujdesin e znj. Ban Ki Moon. Presidentja e “Autism Speakes”, znj. Suzanne Wright, bëri një ekspoze mjaft vlerësuese për punën e Fondacionit të Fëmijëve Shqiptarë si dhe për arritjet e këtyre përpjekjeve në këtë fushë. Ndërsa, znj. Berisha, e cila në diskutimin e saj hodhi dritë mbi disa nisma konkrete në këtë drejtim si organizimin e një konference kombëtare për të dytin vit radhas në Shqipëri ku ekspertë të shkëlqyer ndërkombëtarë do t’u ofrojnë pediatërve, psikologëve dhe aktorëve të tjerë lokalë informacionin e nevojshëm dhe bashkëkohor si dhe do të ofrohen sesione trajnimi për grupe të vogla specialistësh që tashmë punojnë me fëmijët autistë. Presidentja e Fondacionit të Fëmijëve Shqiptarë nënvizoi se një bibliotekë me literaturë për autizmin po nis të krijohet falë kontributit të figurave të shquara nga Britania e Madhe dhe SHBA-ja dhe ka nisur dhurimi i librave dhe i revistave për autizmin. “Unë do të inkurajoja që çdo vend të ndërtonte një partneritet të tillë, si ai që ne kemi me “Autism Speaks”, - theksoi znj. Liri Berisha.