E Diel, 1 Nëntor 2026

Mesic përgëzon Berishën për maturinë e zgjedhjeve



Presidenti kroat, Stipe Mesic, përgëzoi dje Kryeministrin Sali Berisha për zhvillimin me maturi të zgjedhjeve të 28 qershorit dhe e uroi atë për rizgjedhjen në krye të qeverisë. Gjatë qëndrimit të tij në SHBA, Kryeministri Sali Berisha takoi Presidentin e Kroacisë, zotin Stipe Mesic. Në këtë takim, të dy liderët shprehën vullnetin dhe angazhimin e tyre për forcimin dhe intensifikimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kroacisë, që në stadin aktual janë të shkëlqyera. Kryeministri Berisha e njohu Presidentin Mesic me zhvillimet në Shqipëri dhe me ato paszgjedhore, duke theksuar se zgjedhjet e 28 qershorit ishin më të mirat që vendi kishte bërë ndonjëherë dhe se ato shprehën plotësisht vullnetin e popullit shqiptar, kurse Presidenti kroat u shpreh se kjo garanton vazhdimin e reformave që kanë çuar Shqipërinë në NATO dhe që po i japin një perspektivë të qartë evropiane. Në takim u diskutua gjerësisht për mundësinë e bashkëpunimit ekonomik dhe në fusha të tjera, duke u ndalur në shkëmbimin e eksperiencës për zhvillimin e turizmit dhe për projekte të rëndësishme rajonale në infrastrukturë e fusha të tjera. Në takim, dy liderët u ndalën dhe në pasojat e krizës ekonomike botërore dhe në pasojat e saj në mbarë botën. Presidenti Mesic shprehu admirim dhe vlerësim për reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare në këtë drejtim, që bënë të mundur që ajo të ketë një rritje të kënaqshme ekonomike dhe një perspektivë optimiste.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›