E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Katër institucionet që dështuan në ngjarjen e Gërdecit

Kryeministri Sali Berisha ia faturon fajin dhe përgjegjësinë e tragjedisë së Gërdecit, katër institucioneve shtetërore të rëndësishme si Ministrisë së Mbrojtjes, Shërbimit Informativ Shtetëror, Shtabit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe Prokurorisë. Disa minuta pas përfundimit të Këshillit të Sigurisë, Kryeministri Berisha ka ndryshuar qëndrim duke u treguar më i ashpër në deklaratat e tij mbi tragjedinë e Gërdecit. Kreu i ekzekutivit ka pranuar dështimin e institucioneve, duke e lidhur këtë me ngjarjen që tronditi vendin më 15 mars. Duke vënë gishtin e fajtorit mbi katër institucione, Berisha ka pranuar se do të ketë reforma të thella në këto institucione, duke lënë të kuptohet se këto reforma do të prekin edhe qeverinë. Në këtë mënyrë, Kryeministri do të bëjë reforma jo vetëm për integrimin e vendit, por tashmë edhe për mbrojtjen e jetës së shqiptarëve. Hiroshima e Gërdecit është kthyer në një bombë gjigante për kabinetin qeveritar. Tashmë më shumë se kurrë qeveria do i nënshtrohet riformatimit të saj, çka është komunikuar nga Kryeministri ditën e enjte në mbledhjen e kryesisë së PD-së, dhe është konfirmuar po sërish nga shefi i qeverisë ndryshimi edhe ditën e djeshme. Berisha deklaroi dje se "ngjarja e Gërdecit dëshmoi se janë të domosdoshme reforma të thella dhe të gjithanshme, ndërkohë që është mjaft e rëndë mungesa e informacionit për sigurinë, nga institucionet që duhet ta trajtojnë këtë problem". Këtë deklaratë, Kryeministri Berisha e bëri gjatë një vizite në Bashkinë e Vorës, ku u takua me përfaqësues të pushtetit vendor, punonjës së fabrikës së çmontimit të armëve, si dhe banorë të dëmtuar nga shpërthimi në Gërdec. "Erdha t‘ju takoj dhe t‘ju konfirmoj se qeveria dhe shteti janë totalisht të angazhuara për të kapërcyer sa më shpejt pasojat e kësaj tragjedie, e cila për përmasat e Shqipërisë është një ‘11 shtator‘, por që nuk u shkaktua nga terrorizmi islamik. Ishte në shumë aspekte i ngjashëm, përveç shkakut. Patëm humbje të thella, por mund të kishim humbje edhe më të thella", deklaroi Kryeministri Berisha. Kryeministri konfirmoi se "shumë shpejt 20 grupe pune nga qarku, Enti i Banesave dhe ALUIZNI do të fillojnë punën për të përcaktuar çmimet e çdo njësie të dëmtuar". Sipas tij, qeveria disponon çdo gjë për të filluar disbursimin. "Do të kërkoja nga ju një konsultim sa më të shpejtë me të gjithë banorët, nëse do të dëshironin ndërtimin e fshatrave të reja sipas një plani urbanistik dhe kjo për banorët do të ishte lehtësi, sepse do të kishte kanalizime, ujësjellës, apo do të dëshironin të ndërtonin shtëpitë aty ku i kanë pasur", tha ai.

Gjithashtu, Berisha u shpreh se ndodhi një tragjedi në mes të ditës dhe nuk kishte asnjë informacion për rrezikshmërinë apo çfarë ndodh në fabrikën e vdekjes. "Tragjedia dëshmoi se reforma të thella dhe të gjithanshme janë të domosdoshme. Më e rënda është mungesa e informacionit për sigurinë nga institucionet që duhet ta trajtojnë këtë problem. Nga prokuroria po bëhen hetimet dhe ka bashkëpunimin e të gjitha institucioneve", tha ai. Berisha u ka kërkuar grupeve të përqendruara në zonën e Gërdecit se duhet punuar me 2-3 turne për rikthimin e jetës normale.

"Jam informuar se janë një grup punëtorësh të asaj fabrike vdekjeje, të cilët kanë mbijetuar dhe nuk kanë asnjë gjë, ndaj kam urdhëruar aparatin që ata të përfshihen në këtë trajtim. Lista është siç e ka paraqitur ndërmarrja, ndaj t‘ua lehtësojmë këtë traumë që kanë kaluar", u shpreh Kryeministri Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›