E Diel, 1 Nëntor 2026

Leskaj: PS nuk do të bojkotojë Kuvendin

Kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, ka deklaruar dje se opozita nuk do të bojkotojë Kuvendin, por do të vazhdojë debatin për tragjedinë e Gërdecit. Gjatë një konference për shtyp, Leskaj është shprehur se "nuk ka një bojkot të Parlamentit nga opozita. Duhet të vazhdojë debati për korrupsionin vrastar të Gërdecit". Në emër të opozitës, kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, ka kërkuar edhe një herë që Kryeministri Berisha të japë dorëheqjen. Gjithashtu, Leskaj ka kërkuar që Sali Berisha e Fatmir Mediu të dorëzojnë imunitetin për t‘u lënë rrugë të lirë organeve hetimore që të punojnë për zbardhjen e kësaj çështjeje. Askush të mos shpresojë, tha Leskaj, që opozita do të mungojë në Kuvend. "Ne s‘do të lejojmë të na mbyllet goja për të thënë të vërtetat e tmerrshme që implikojnë Kryeministrin e vendit, ndaj do të vazhdojmë betejën tonë në Kuvend derisa të zbardhet e gjithë e vërteta", ka theksuar ajo. Po dje, gjatë një konference për shtyp, nënkryetari i grupit të PS-së, Erjon Braçe, ka hedhur kritika të shumta ndaj institucionit të Prokurorisë në lidhje me hetimet që ajo po bën për tragjedinë e Gërdecit. Gjatë deklaratës së tij, Braçe i ka vlerësuar si të pamjaftueshme akuzat e formuluara nga prokurorët e kësaj çështjeje lidhur me tre të arrestuarit. Sipas Braçes, janë konsumuar të paktën pesë vepra penale në katastrofën e Gërdecit. "Prokuroria po heton veprën penale më të lehtë, më banale, prokuroria duhet të hetojë edhe për shkatërrim prone, shpërdorim detyre dhe trafik armësh", është shprehur Braçe. Duke hedhur dritë mbi seancën gjyqësore ndaj tre të pandehurve, Braçe është shprehur se akuza e ngritur ndaj tyre është shkelje e rregullave të mbrojtjes në punë, e cila dënohet edhe me gjobë ose burgim deri në 10 vjet. "Një krim i rëndë i cili ka sjellë si pasojë 20 të vdekur, mbi 300 të plagosur e shumë dëme materiale po klasifikohet nga Prokuroria e Përgjithshme dhe Prokuroria e Tiranës si një vepër penale që dënohet me gjobë ose burgim deri në 10 vjet", është shprehur Braçe. Doja të sillja në vëmendje se janë kryer disa vepra penale si: shkatërrim i pronës me eksploziv, shpërdorim i detyrës, trafikim armësh dhe municionesh, stërvitja për prodhimin dhe përdorimin e armëve dhe lëndëve të tjera të rrezikshme, si dhe ndotja e ajrit. Opozita prej disa ditësh ka akuzuar qeverinë si shkaktare dhe fajtore të tragjedisë së ndodhur në fshatin Gërdec. Në seancën e së mërkurës, deputetët e saj debatuan ashpër me Kryeministrin Berisha duke i kërkuar këtij të fundit që të mbante përgjegjësit që i takonin dhe të jepte dorëheqjen duke iu kërkuar falje publike banorëve, të cilët i kishte lënduar me pa të drejtë. Debat i cili u kërkua të vazhdonte edhe në seancën e ditës së enjte, por Kryetarja Topalli dhe deputetët e mazhorancës e kundërshtuan një gjë të tillë. Kundërshtim që nuk u pranua nga opozita, e cila i kujtoi Kryetares së Kuvendit që nuk mund ta mbyllte kaq shpejt tragjedinë e Gërdecit kur fajtorët ende hynin dhe dilnin në Kuvend. Moslejimi i Topallit për të vijuar debatin edhe në seancën e së enjtes e detyroi opozitën që në shenjë proteste të largohej nga salla e Kuvendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›