E Diel, 1 Nëntor 2026

PR-Berishës: Sqaro Gërdecin, pastaj hyjmë në kabinet

Shpërthejnë republikanët. PR do të qëndrojë jashtë qeverisë, duke mos kërkuar asnjë portofol të rëndësishëm qeveritar deri në momentin e sqarimit të historisë famëkeqe të Gërdecit. Megjithëse Kryeministri Berisha ka theksuar se republikanët do të jenë pjesë e kabinetit qeveritar, republikanët kanë vendosur dje që të përfaqësohen në qeveri vetëm në rang zv/ministrash. Një grup i kryesisë së PR-së ka takuar dje Kryeministrin Berisha për t‘i bërë të ditur qëndrimin e kryesisë së PR-së mbi përfaqësimin e saj në qeveri. Grupi i cili kryesohej nga presidenti i asamblesë së republikanëve, Sabri Godo, Arjan Madhi dhe Neritan Alibali mësohet t‘i kenë kërkuar Kryeministrit mosemërimin e një kandidature republikane në krye të ndonjë dikasteri duke pritur që të zbardhen hetimet e Gërdecit. Burime pranë Partisë Republikane bëjnë me dije se në momentin e rikompozimit të kabinetit qeveritar pas Samitit të Bukureshtit ata do të përfaqësohen sërish në qeveri me kryetarin e partisë së tyre. Kjo tregon një rikthim të mundshëm të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, në kabinet, ndonëse këtë herë republikanët pretendojnë të kërkojnë një dikaster të ndryshëm nga ai i Ministrisë së Mbrojtjes. Republikanët vazhdojnë të besojnë në pafajësinë e kryetarit të tyre dhe presin që të zbardhet hetimi përfundimtar. Pas përfundimit të takimit me Berishën, presidenti i nderit të asamblesë së republikanëve, Sabri Godo, ka deklaruar se "nuk jemi të gatshëm të jemi akoma pjesë e qeverisë. Do të shikojmë se si do të zhvillohen hetimet dhe çdo të dalë në shesh nga hetimet. Mirëpo, ne vazhdojmë të qëndrojmë në koalicionin e djathtë në të cilin bëjmë pjesë dhe do të japim kontributin tonë që emergjencën që kemi përpara, të gjithë së bashku ta zgjidhim në një kohë të shkurtër". Godo ka theksuar gjithashtu se nuk mund të cilësohet Fatmir Mediu si i fajshëm, ndërkohë që fajësia e tij ende nuk është vërtetuar nga organet kompetente. Zëra të tjerë, në kampin demokrat konfirmojnë se posti i zv/kryeministrit do t‘u lihet në dispozicion republikanëve. Lajla Përnaska është kandidatura më e përfolur në kampin e djathtë. Megjithatë, burime zyrtare pranë PR-së konfirmojnë se nuk do të përfaqësohet deri në samitin e Bukureshtit me asnjë ministër apo zv/kryeministër. Posti i numrit dy të qeverisë do të qëndrojë pezull deri në Samitin e Bukureshtit dhe menjëherë pas përfundimit të këtij Samiti, Kryeministri Berisha do të vërë në jetë planin e tij për të ndryshuar qeverinë. Burime pranë qeverisë konfirmojnë se lëvizjet do të jenë radikale ku do të lëvizin të gjithë ministrat nga karriget e tyre, përveç dy anëtarëve të kabinetit për të cilët pretendohet se kanë bërë një punë të shkëlqyer gjatë mandatit të tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›