Rama: Në rrugë ishte opozita qytetare
Krerët e opozitës, pas një mërie të gjatë janë takuar dje edhe fizikisht pas manifestimit në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", në të cilën morën pjesë mijëra banorë. Kreu i PS, Edi Rama, ai i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi, ai i PAD-së, Neritan Ceka, si dhe kryetari i PDS-së, Paskal Milo, janë ulur në barin e kompleksit "Tajvan" për të pirë kafe. Takimi i djeshëm ka qenë i pari i të gjithë opozitës së bashkuar pas shumë kohësh. Ndërkaq, lideri socialist, Edi Rama, menjëherë pas manifestimit, ka dalë në një konferencë për shtyp ku ka përshëndetur pjesëmarrjen e lartë. Rama ka deklaruar se në këtë manifestim nuk ka qenë "opozita politike, por opozita qytetare, e cila kërkon largimin e Kryeministrit Sali Berisha, i cili është përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit".