E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bush ngushëllon Topin për tragjedinë e Gërdecit

Presidenti amerikan Xhorxh Bush ka ngushëlluar Presidentin shqiptar Bamir Topi për tragjedinë e ndodhur pak ditë më parë në Gërdec. Përmes një mesazhi, shefi i Shtëpisë së Bardhë ka shprehur solidaritetin e qeverisë amerikane për këtë ngjarje të rëndë, ku humbën jetën shumë njerëz dhe pati shumë dëme materiale. Në mesazh thuhet se "në emër të popullit amerikan, ju shpreh ngushëllimet e mia më të thella për tragjedinë që ndodhi në Gërdec, si pasojë e së cilës u plagosën dhe humbën jetën shumë qytetarë të pafajshëm! Mendimet dhe lutjet e mia janë për familjet që humbën të dashurit e tyre dhe për popullin shqiptar gjatë kësaj periudhe të vështirë". Më tej, ai thekson se vendosmëria e Shqipërisë për të zhdukur municionet e tepërta të rrezikshme është për t‘u lavdëruar dhe shumë pak vende mund të krahasohen me arritjet e saj. "Incidenti i Gërdecit na tregoi se sa jetësor është për Shqipërinë dhe bashkësinë ndërkombëtare të qenit të përkushtuar ndaj programeve, të cilat, në mënyrë të parrezikshme, e eliminojnë këtë rrezik ndaj sigurisë publike. Mbështetja dhe vendosmëria juaj vlerësohen shumë!", - thuhet në mesazhin e Presidentit amerikan, Bush. Amerika ka qenë në krah të Shqipërisë për ta mbështetur në kapërcimin e kësaj tragjedie. Tri ditë pas tragjedisë, kreu i shtetit shqiptar ka marrë një mesazh ngushëllimi edhe nga ambasadori i SHBA-së në vendin tonë, Xhon Uithers. Në mesazhin e tij, ambasadori theksonte se tragjedia dhe humbja që pësoi populli shqiptar pati jehonë anembanë botës. Ne këtu në ambasadën amerikane në Tiranë, e kuptojmë dhe solidarizohemi me dhimbjen e pikëllimin tuaj. Ju bëjmë me dije se ne po punojmë me miqtë dhe kolegët tanë shqiptarë dhe bashkësinë ndërkombëtare për t‘ju ardhur në ndihmë me çfarëdolloj mënyre gjatë përpjekjeve të lehtësimit, të cilat po kryhen për të ndihmuar të prekurit nga kjo tragjedi e tmerrshme. Gjatë këtyre ditëve, Presidenti Topi ka marrë shumë mesazhe ngushëllimi për tragjedinë e Gërdecit, nga drejtues të lartë të shteteve mike, të cilat kanë ndarë dhimbjen dhe janë solidarizuar për kapërcimin e kësaj situate.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›