E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mijëra qytetarë, homazhe për viktimat e Gërdecit

Partitë e opozitës kanë vendosur t‘i lënë mënjanë mosmarrëveshjet e tyre politike, duke u bashkuar të gjithë së bashku në manifestimin e heshtur, të zhvilluar në kujtim të viktimave të tragjedisë së Gërdecit. Rama, Meta, Gjinushi, Milo e Ceka i janë bashkuar dje qindra qytetarëve, të cilët kanë manifestuar në bulevardin qendrore me qirinj në duar, duke i kujtuar me disa pankarta qeverisë se është shkaktare dhe fajtore për jetët e humbura të atyre njerëzve dhe pasuritë e shkatërruara të mijëra familjeve. Protestuesit e kanë nisur marshimin e tyre nga sheshi "Skënderbej", për ta vijuar në bulevardin "Dëshmorët e Kombit". Kanë bërë një ndalesë para Kryeministrisë ku kanë ndezur disa qirinj dhe një tjetër para Presidencës, ku gjithashtu kanë ndezur disa qirinj për të ndaluar në sheshin "Nënë Tereza". Ashtu siç ishte paralajmëruar edhe nga kryetari i PS-së, Rama, nuk është mbajtur asnjë fjalim, nuk ka pasur në shesh asnjë flamur të asnjërës forcë politike, por vetëm disa pankarta, të cilat kërkon nxjerrjen e përgjegjësve para drejtësisë dhe largimin e Berishës nga detyra e Kryeministrit. Manifestimi ka zgjatur për gati 45 minuta dhe nuk është shënuar asnjë incident mes protestuesve dhe organeve të policisë. Pas marshimit të heshtur, qytetarët e Tiranës janë shpërndarë qetësisht. Dje paradite, kryetari i PS-së, nëpërmjet një konference për shtyp, ka ftuar të gjithë qytetarët e kryeqytetit, pavarësisht bindjeve politike e partiake, si prind apo e re dhe i ri, që ndien dhimbje, indinjatë, nevojë për siguri e për qetësi në atdheun tonë, të merrte pjesë në ecjen homazh në nderim të fëmijëve, grave e burrave, që humbën jetën në tragjedinë e Gërdecit dhe të dëshmojë, me praninë e tij, nevojën jetike të kësaj shoqërie për sigurinë e jetës, të familjes e të pronës. Rama u ka kujtuar qytetarëve gjatë paradites së djeshme që me protestën e heshtur është koha për të treguar se përpara se të jemi socialistë, demokratë apo çfarëdo qoftë përkatësie partiake jemi qytetarë të bashkuar kundër politikës së duarve të pista që vrasin jetën, zhdukin pronën, varrosin shpresën. E njëjta thirrje për të dalë në shesh dhe për të protestuar në mënyrë të heshtur po dje ka ardhur edhe nga selia e LSI-së, ku kryetari i saj, Ilir Meta, i shoqëruar edhe nga kryetari i PAD-së, Ceka, dhe kryetari i PDS-së, Milo, të cilët kanë theksuar se do t‘i bashkohen protestës së kryeqytetasve për të shprehur dhimbjen ndaj viktimave të tragjedisë së Gërdecit. Meta ka theksuar se qëndrimi i tyre për t‘u bashkuar me PS-në në shesh dhe për të protestuar nuk ka lidhje me raportet politike me të kaluarën apo në të ardhmen. "Qëndrimi ynë në radhë të parë është njerëzor dhe qytetar për të gjithë këtë që ka ndodhur dhe që nuk duhet të përsëritet më në vendin tonë. Nuk i përziejmë çështje të tilla, të cilat duhet të bashkojnë të gjithë shqiptarët me çështje, të cilat mund t‘i ndajnë nga forcat politike në vend", tha Meta. Sipas tij, kjo protestë është dita për t‘u bashkuar të gjithë, për të treguar që qytetarët e këtij vendi nuk mund të jenë indiferentë dhe nuk mund të tolerojnë fshehjen e fajtorëve sikurse ka ndodhur në tragjeditë e shkuara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›