E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Të nxirren menjëherë zyrtarët e lartë që janë fajtorë

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, është treguar shumë i ashpër në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit Kombëtar. Në fjalën e tij, kreu i shtetit i ka bërë thirrje Prokurorisë së Përgjithshme që të hetojë me seriozitet rigoroz zbardhjen e shkaqeve që sollën katastrofën e Gërdecit. Ai ka theksuar se kjo tragjedi nuk mund të mbetet jetime, pasi ajo ka fajtorë dhe përgjegjës me emra dhe mbiemra konkretë, të cilët duhet të vihen para drejtësisë. "Kërkohet që institucionet e pavarura të hetimit të bashkëpunojnë ngushtë me të gjitha institucionet e tjera të shtetit, për nxjerrjen e fajtorëve para ligjit dhe ndëshkimin e tyre. Institucioni i Prokurorisë duhet të vazhdojë të punojë në mënyrë shumë të pavarur dhe profesionale", është shprehur Presidenti. Kreu i shtetit u ka deklaruar anëtarëve të Këshillit të Sigurisë Kombëtar se është ndier i zhgënjyer kur ka mësuar faktin se në një fabrikë të tillë punonin njerëz të paspecializuar dhe të patrajnuar. "Në një vend ku ka shumë ish-ushtarakë të arsimuar dhe të papunë, është e pafalshme që procese kaq teknike, njëkohësisht të vështira dhe delikate, të bëhen nga civilë të cilët nuk kanë kryer as edhe një ditë shërbimi ushtarak. Nuk mund të tolerojmë askënd të justifikohet, duke thënë se ajo ishte një firmë private", deklaroi Presidenti. "Si shpjegohet, - ka theksuar kreu i shtetit, - që askush nuk na kishte vënë në dijeni për këtë gjendje në terren? E kam fjalën për SHIU-n, SHISH-in, Forcat e Armatosura, Policinë e Shtetit, shërbimet e Autoritetit Fiskal, ato të Punës dhe të autoriteteve monitoruese të shëndetit paraprak, prej të cilave nuk ka pasur as edhe një rresht të vetëm informacion mbi atë që ndodhte në Gërdec. Është e pafalshme, - ka shtuar ai, - që askush nuk ka thënë asgjë, mbi një punishte të paligjshme dhe shumë të rrezikshme pranë aeroportit të vetëm ndërkombëtar në vend dhe të autostradës kryesore të vendit". "Nuk e besoj se askujt nuk i kishte rënë në sy kjo situatë, ndaj kërkoj që me transparencë të nxjerrim përfundimet e duhura në lidhje me punën që institucionet dhe agjencitë e specializuara në vend nuk e kanë kryer", tha Topi në fjalën e tij në Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Duke mos lënë mënjanë çështjen e anëtarësimit në NATO, për të cilën Shqipëria po punon prej vitesh, Presidenti Topi ka theksuar se "ne nuk mund të harrojmë se jemi shumë pranë anëtarësimit në NATO. Do të ishte e pafalshme për ne të lejonim që procesi historik i integrimit euroatlantik të vendit tonë, të komprometohej nga papërgjegjshmëria apo nga veprimtaria e paligjshme e ndonjë individi cilido qoftë ai, të ndonjë zyrtari të korruptuar dhe të cilitdo që i është kundërvënë interesave kombëtare të Shqipërisë dhe shqiptarëve". Kreu i shtetit ka kërkuar nga të gjithë anëtarët e Këshillit të Sigurisë që në respekt të Kushtetutës së vendit, secili prej tyre të marrë përgjegjësitë e veta politike, morale, institucionale dhe ligjore. Gjithashtu, ai i ka propozuar Ministrisë së Brendshme të shohë mundësinë e ngritjes së një Drejtorie të Përgjithshme të Mbrojtjes Civile, e cila të veprojë si një institucion koordinues për të gjitha ministritë e linjës në rastin e fatkeqësive të mëdha. Deklaratat e kreut të shtetit në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare kanë qenë shumë të ashpra dhe konkrete. Ai ka kërkuar që t‘i jepet fund njëherë e mirë punës së zezë në vend, në mënyrë të veçantë në aktivitete kaq delikate. "Nuk mund të ketë më tolerancë mbi ata që duan të pasurohen mbi kurrizin e fëmijëve. Zero tolerancë, për cilindo që mendon se mund të rikthejë marrëdhëniet poshtëruese të punës në Shqipëri. Pres nga SHISH-i, nga policia dhe nga inspektoratet shtetërore, të godasin pa mëshirë këdo që shfrytëzon një njeri tjetër, për të pasuruar veten". Gjithashtu, ai i ka kërkuar Kryeministrit që të zhdëmtojmë ekonomikisht viktimat e tragjedisë dhe familjet e tyre, si dhe të punohet për sekuestrimin e çdo pasurie të paligjshme të vënë nga aventurierë, të cilët mendojnë se janë më të fortë nga ligji dhe shteti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›