Rama-Meta, takim kokë më kokë për reformën elektorale
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama dhe partneri i tij politik, kryetari i LSI-së Ilir Meta, janë takuar ditën e djeshme, gjatë pasdites, ku kanë diskutuar për reformën elektorale. Takimi i zhvilluar në selinë e PS-së mësohet të jetë përqendruar në qëndrimet që do të mbajë opozita për reformën elektorale. Mësohet se Meta dhe Rama kanë rënë dakord që të mblidhet sa më shpejt Komisioni i Reformës Zgjedhore. Duket se LSI dhe PS do të kenë një aktivitet të përbashkët politik përsa i përket reformës. Gjatë takimit është bërë e ditur se në vazhdim do të diskutohet më gjerë dhe me ekspertë për detajet e reformës, si çështja e zgjedhjes së sistemit dhe funksionimit të tij. Liderët e së majtës kanë vendosur që zgjedhjet duhet të zhvillohen domosdoshmërisht me karta identiteti dhe me një regjistër elektronik, në mënyrë që liria e votës së jetë e garantuar dhe të mos preket. Duket se këto do të jenë edhe kushtet minimale që do të kërkojë opozita për sistemin zgjedhor në Shqipëri.
12 Shkurt 2008