Surpriza, Andi Beli anuloi pagesën për “Deloitte & Touche”
Një tjetër prokurim i bërë nga KESH-i duket se ka zbuluar një veprim të “çuditshëm” të ish-drejtorit Andi Beli. Në raportin e KLSH-së është zbuluar se Beli ka refuzuar të paguajë kompaninë “Deloitte & Touche” për auditimin që ajo i ka bërë në vitin 2006 korporatës. Beli ka pretenduar se firma në fjalë është fokusuar edhe në regjistrat kontabël të kompanisë dhe, sipas tij, ky ishte një konflikt interesi në kushtet kur ishte po kjo firmë që kishte vlerësuar më parë asetet e kompanisë. Por, ky vendim i Belit për të “hedhur në erë” të gjithë punën e “Deloitte & Touche” duket se ka shmangur dhe pjesën e auditimit të kësaj kompanie, duke mos i dhënë mundësi që të shfaqte rezultatet e auditit dhe për prokurimet e bëra në pjesën e dytë të vitit 2005. Gjatë kësaj periudhe ka qenë vetë Beli që ka lidhur një sërë kontratash për blerjen e energjisë, por ligjshmëria e këtyre kontratave nuk u testua kurrë, pasi raporti i “Deloitte & Touche” u anulua. “Firma Deloitte & Touche ka dorëzuar raportin e auditimit në shtator të vitit 2006. Pagesa për shërbimin nuk është kryer pasi me Shkresën Nr. 13664/2, datë 04.12.06, të drejtorit të Përgjithshëm Andi Beli theksohet se kompania fituese nuk ka bërë raport auditimi si është kërkuar, pasi nuk ka qenë e pavarur që të vlerësonte disa pasqyra kontabiliteti në kushtet kur kjo firmë ka kryer gjithashtu dhe vlerësimin e aseteve të korporatës”, - shkruhet në raportin e KLSH-së.
Tenderat për energjinë, qeveria “harron” gjuhën shqipe
Qeveria shqiptare ka vendosur të shndërrohet në “anglishtfolëse”. Fenomeni i nënshkrimit të kontratave vetëm në gjuhën angleze është pikasur edhe në raportin e KLSH-së, ndërsa kontratat përfaqësojnë transferimin e shumave prej miliona eurosh për blerjen e energjisë. Në kundërshtim të plotë me ligjet shqiptare, sërish entet qeveritare kanë vendosur të nënshkruajnë kontrata që nuk ekzistojnë në shqip, duke lënë shijen se këto kontrata vijnë si “gjysmë të gatshme” nga vetë kontraktorët e qeverisë. Në fakt, sikurse në rastin e të tjera kontratave me vlerë të konsiderueshme, edhe në rastin e tenderit prej afro 162 milionë euro për blerjen e energjisë ekziston vetëm në gjuhën angleze, duke shenjuar një rast të paprecedent papërgjegjshmërie për hartuesit dhe mbikëqyrësit e tyre.
12 Shkurt 2008