E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita-Berishës: ”Ke dyfishuar taksat për të varfrit”

Grupi Parlamentar socialist ka zhvilluar ditën e djeshme një interpelancë parlamentare me kryeministrin e vendit, Sali Berisha, për rritjen e çmimeve për produktet bazë në treg. Nënkryetari i Grupit të PS-së, Erion Braçe, u shpreh gjatë kësaj interpelance se realisht çmimi i bukës është rritur edhe si rezultat i rritjes së taksave të qeverisë, e cila ka propaganduar se ka ndodhur e kundërta. “Në vitin 2005 një bukë kushtonte vetëm 50 lekë dhe nga kjo bukë merrej vetëm 20 lekë taksë, ndërsa sot prej një buke me çmim 100 lekë merrni 40 lekë taksë. Pra keni dyfishuar taksat”, - tha e Braçe, i cili shtoi se janë vendosur 4 mijë çmime reference në Tatime. Këtë nuk e ka pranuar kryeministri Berisha, i cili u shpreh se nuk duhet ngatërruar lufta kundër evazionit fiskal me taksat. Berisha akuzoi deputetët e majtë se po përdorin kamerat për të propaganduar një realitet që nuk ekziston. “Do të bëjmë kompensimin e çdo qindarke, por nuk do të pengojmë çmimet, pasi dëmtojmë tregun. Të kontrollosh çmimet, shkatërron çmimet”, - u shpreh Berisha. Në kundërpërgjigje, deputeti Braçe u shpreh se qeveria duhet të rrisë kontrollet dhe të ndërhyjë në treg si vendet e rajonit, të cilat kanë realizuar marrëveshje me tregtarët. Pjesë e debatit ka qenë edhe ish-ministri i Financave, Arben Malaj, i cili ka reaguar pas fjalës së mbajtur në Kuvend nga kryeministri Berisha. Malaj u shpreh se premtimi i Berishës për të kompensuar rritjen e çmimit në masën 100 për qind do të jetë i pamundur për shkak se mungon një strategji e tillë. Malaj është shprehur se implementimi dhe mirëfunksionimi i tregut të lirë është pothuaj i pamundur për shkak se ai mbizotërohet nga monopolet që mbështeten nga qeveria. Një tjetër çështje e diskutuar në Kuvend ka qenë edhe shpronësimet në rrugën Trans-ballkanike në Vlorë. Deputeti i zonës, Bujar Leskaj, u shpreh se banorët ende nuk janë kompensuar, ndonëse shtëpitë e tyre janë shembur dhe po ndërtohet rruga. Leskaj kërkoi ndërhyrje nga kryeministri Berisha, i cili u shpreh se e ka ndjekur çështjen si dhe grevën e grave, të bërë në Vlorë për këtë çështje. Berisha pranoi edhe gabimin e bërë në përllogaritjen e këtyre shpronësimeve, por që më gjerë po merret gjykata. Kryeministri u ka kërkuar publikisht ndjesë banorëve që janë prekur nga këto shpronësime në Vlorë.

12 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›