Topalli: “Klima ekonomike në Shqipëri është shumë e qëndrueshme”
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, priti ditën e djeshme në zyrën e Kuvendit drejtoren e re të Bankës Botërore për Europën Juglindore, Jane Armitage. Në takim u theksua bashkëpunimi shumë i mirë mes Shqipërisë dhe Bankës Botërore, në projekte madhore e të rëndësishme, si dhe u shpreh bindja se ky bashkëpunim do të vijojë e do të forcohet edhe më tej. Kryetarja e Kuvendit e njohu zonjën Armitage me zhvillimet më të fundit në vend, me punën e Kuvendit si dhe me reformat thelbësore, duke u përqendruar kryesisht në ato ekonomike. “Klima ekonomike në Shqipëri është shumë e qëndrueshme dhe kjo ka sjellë si rezultat edhe rritjen e investimeve dhe praninë e kompanive prestigjioze, të cilat gjejnë në Shqipëri gjithnjë e më shumë kushtet e duhura për investimet e tyre”, - tha Topalli. Në Shqipëri pritet të mbahet një konferencë, ajo e Rrjetit Rajonal Parlamentar të Bankës Botërore, brenda gjashtëmujorit të parë të këtij viti. Qëllimi i këtij takimi është krijimi i një partneriteti mes Bankës Botërore dhe parlamenteve të vendeve anëtare të kësaj Banke, në interes të zhvillimit rajonal. Në këtë konferencë me dimension të gjerë do të diskutohet konkretisht mbi projekte për zhvillimin ekonomik, energjinë, transportin, infrastrukturën, turizmin, por edhe çështje të tjera po aq të rëndësishme si, edukimi apo shëndetësia.
12 Shkurt 2008