E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmimi i bukës, deputetët e PD-së akuzojnë

Deputetët e PD-së debatojnë me Berishën në mbledhjen e Grupit Parlamentar. Kryeministri premton ndërhyrje, ndërsa deputetët i kujtojnë kartelet në ekonomi
Erald Kapri

Rritja e çmimeve në treg, kryesisht e bukës, ka përfshirë në debat me dyer të mbyllura edhe deputetët e maxhorancës. Mbledhja e djeshme e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike është shoqëruar me një përplasje mes një grupi deputetësh dhe kryeministrit Sali Berisha, të cilit i është kërkuar të ndërhyjë. Mësohet se deputetët Preç Zogaj dhe deputeti i Durrësit, Sami Gjergji, i kanë kujtuar kryeministrit Berisha se në treg funksionojnë dhe operojnë kartele, të cilat imponojnë çmime. Deputetët kanë kërkuar në mënyrë të qartë goditjen e monopoleve që deri tashmë, ndonëse premtim i kësaj maxhorance, nuk janë luftuar.
Përgjigjja
Ndonëse ka marrë kritika të hapura nga deputetët e vet, kryeministri Berisha ka reaguar qetësisht ndaj kritikave të tyre. Kryeministri Sali Berisha u është përgjigjur pozitivisht kritikave të deputetëve të maxhorancës, duke i lajmëruar se qeveria do të nisë në Kuvend për t’u miratuar në mënyrë urgjente një dekret, i cili do të normalizojë situatën e çmimeve. Ky dekret, i cili pritet të kalojë në seancën e ditës së ente, do të kalojë edhe në firmën e presidentit Topi. Problemi i monopoleve në ekonomi është pranuar nga kreu i qeverisë në mbledhjen e Grupit Parlamentar dhe ka ripërsëritur qëndrimin se ato do të luftohen me mekanizma ligjorë. Këtë premtim Berisha e bëri të hapur edhe gjatë seancës së pasdites, ku u shpreh se karteli i miellit do të zhduket brenda 10 ditëve. “Brenda 10 ditëve do të zhdukim kartelin e miellit që ju e dini shumë mirë, pasi na e keni lënë neve”, - tha Berisha në drejtim të deputetëve socialistë.
Çmimet
Tregu i ushqimeve ka shënuar një rritje të ndjeshme për disa produkte bazë të si buka, vaji etj. Kjo rritje çmimesh kanë rritur edhe tensionin politik jo vetëm mes opozitës dhe maxhorancës, por ka nxitur edhe një debat brenda së djathtës, ku disa deputetë kanë kërkuar ndërhyrje. Fillimisht kryeministri Berisha u shpreh se qeveria nuk ndërhyn në kushtet e një tregu të lirë, por nisur nga kritikat e deputetëve të djathtë, qeveria vendosi që të luftojë kartelet, të paktën në fushën e importit të miellit. Rritja e çmimit të bukës ka nxitur një tjetër debat mes maxhorancës, atë të mbajtjes së premtimeve. Në vitin 2005 maxhoranca aktuale premtoi luftë ndaj monopoleve dhe ky premtim, deputetët e djathë kanë kërkuar që të respektohet, ndryshe nuk ka treg të lirë. Gjithsesi, Berisha premtoi kompensim për shtesat në nevojë. Tregu ka pasur rritje çmimesh të ndjeshme në disa produkte, që po t’i referohemi INSTAT-it, rritja e tyre ka qenë mbi 10 për qind. Sipas Institutit të Statistikave, çmimi i spinaqit është rritur me 13.1 për qind, specave me 8.1 për qind, domateve me 6.0 për qind, kastravecëve me 5.9, fasules e qepëve të thata me 2.1 për qind, limonëve me 18.5 për qind, mollëve me 4.5 për qind, dardhave me 4.1 për qind, mandarinave me 2.2 për qind, kivit me 1.3 për qind, etj. Njëkohësisht ka pasur rritje çmimesh edhe në lëndët djegëse si nafta apo benzina. Shtrenjtimi i këtyre produkteve përkthehet direkt në ulje të nivelit të jetesës për buxhetorët dhe familjet me të ardhura të pakta.

12 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›