E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha-Klaus: “Forcim i marrëdhënieve ekonomike Shqipëri-Çeki”

Autori i Lajmit: red.
Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim Presidentin e Republikës së Çekisë, zotin Vaclav Klaus. Berisha i uroi mirëseardhjen presidentit çek, në vizitën e tij të parë në Shqipëri, duke e quajtur një ditë historike për marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Çekisë. Presidenti Klaus falënderoi kryeministrin Berisha për mikpritjen dhe u shpreh se Shqipëria ka pësuar shndërrime të thella gjatë këtyre viteve të fundit, si rezultat i reformave dhe përpjekjeve të qeverisë shqiptare dhe të lidershipit të saj dhe se këto rezultate janë tashmë para syve të të gjithëve. Berisha theksoi se e gëzonte fakti se kishte një rritje të zhvillimit të marrëdhënieve ekonomike midis dy vendeve dhe se këtë vit, në kuadër të bumit turistik, në Shqipëri erdhën edhe shumë qytetarë çekë. Ai u shpreh më tej se investimet e huaja janë një prioritet për qeverinë shqiptare, e cila do të mbështesë edhe investitorët çekë, të cilët janë të mirëpritur në Shqipëri, duke u shprehur i bindur se investimet e tyre do të jenë një histori suksesi. Lidhur me këtë, presidenti Klaus theksoi se ka një interes të madh të kompanive çeke për projektet në infrastrukturë në Shqipëri. Investitorët çekë, u shpreh Kryeministri, janë të mirëpritur edhe në projektet e qeverisë për rinovimin e rrjetit hekurudhor dhe në portet e mëdha në vend.
Ky lajm është publikuar: 06/10/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›