E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projektligji për minatorët, PS: Meta e Berisha po tallen!

Autori i Lajmit: red.
Partia Socialiste konsideron se projektligji për uljen me 5 vjet të moshës së daljes në pension të minatorëve është nënvlerësim i mundit dhe i sakrificave të tyre. Deputeti socialist Ilir Beqja tha dje se mazhoranca po bëhet gati të miratojë uljen e moshës së daljes në pension të minatorëve nga 65 në 60 vjeç, çka është një nënvlerësim për sakrificat e punonjësve të nëntokës. “Mazhoranca e dyshes Berisha – Meta vazhdon të dëshmojë se problemet sociale të vendit, hallet dhe shqetësimet e shtresave në nevojë nuk janë në axhendën e punëve të tyre. Së fundmi, mazhoranca po bëhet gati të miratojë uljen e moshës së daljes në pension për minatorët nga 65 në 60 vjeç. Ky ndryshim ligjor, në fakt, është tallje me mundin, sakrificat dhe rrezikqet me të cilat përballen punonjësit e nëntokës. Është tallje sepse nuk i jep zgjidhje nevojave të sotme të minatorëve apo ish – minatorëve”, - tha ai. Sipas Beqjes ky ligj nuk ofron nuk ofron asgjë për mbi 5 mijë ish-minatorë që aktualisht nuk e mbyllin dot fundin e muajit me trajtimin e veçantë jo më shumë se 8 mijë lek në muaj që u jep qeveria Berisha - Meta. “Është tallje, sepse edhe kur të dalin në pension në moshën 60 vjeçare, minatorët do të gëzojnë pensionin për shumë më pak vite se shqiptarët e tjerë. Është tallje, sepse nuk i jep zgjidhje rregullimit të mënyrës së llogaritjes fillestare të pensionit për punonjësit e nëntokës që përfitojnë trajtim të veçantë”, - tha ai. Deputeti socialsit pohoi se Sali Berisha vijon të tallet në mënyrë konstante me minatorët dhe shqiptarët të cilët e njohin mirë tashmë prandaj nuk i dhanë votën prandaj nuk ia dhanë votat për të qeverisur. Por sipas tij, pas talljes së Berishës po i shtohet edhe tallja e Ilir Metës. “Meta nuk ka sesi të përshëndesë uljen e moshës së daljes në pension për minatorët kur në programin e tij kishte premtuar miratimin e statusit të minatorit. Meta erdhi në pushtet, por statusi i minatorit do të hyjë që në muajin e parë të qeverisjes në listën e premtimeve të shkelura. Kjo është një arsye më shumë pse ditën e shtunë të gjithë duhet të jemi në protestën e opozitës”, - tha ai. Beqja pohoi se Partia Socialiste konfirmon qëndrimin e saj në mbështetje të minatorëve të përcaktuar edhe në marrëveshjen e 4 qershorit 2009 me Sindikatën e Minatorëve të Shqipërisë. Ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet dhe do të ushtrojmë presion që puna, djersa, mundi dhe sakrifica e minatorëve të respektohen në Shqipëri.
Ky lajm është publikuar: 06/10/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›