E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLSH “Sistemi është i korruptuar

Autori i Lajmit: Silvana Balliu
Me gjendjen aktuale të sistemit gjyqësor shqiptar gjykata administrative do të jetë e pavlefshme.
Duke u bërë zëri i parë publik kundër kësaj gjykate që pret miratimin e Kuvendit kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit mendon se ajo do të jetë një hallkë më shumë në një sistem të korruptuar. "Në qoftë se sistemi gjyqësor nuk pëson një hop cilësor, përmirësim cilësor të dukshëm, të shtosh Gjykatën Administrative, nuk do bëni gjë tjetër vetëm se do të shtoni një hallkë në këtë sistem ta themi copë, të korruptuar. Asgjë nuk keni për të bërë, në gjykimin tim. Duhet të përsoset njëherë ky sistem që kemi se sa apriori do të shtoni dhe një hallkë tjetër, e cila do të zbatojë praktikën që zbaton ky tjetri. Bile më keq, në qoftë se do të jetë me cikël të mbyllur në gjykimin tim, ju do t i jepni pushtet një trupe gjyqësore të bëjë çfarë të dojë me biznesin", tha Robert Ceku, kryetar i KLSH-së. Duket se marrëdhëniet e shtetit e biznesit me gjykatat kanë shkuar në pikën që nuk mban më.

Çeku nuk kursen as Gjykatën e Lartë. "Me përjashtim të ndonjë rasti sporadik me shifra shumë të vogla, pushteti gjyqësor nuk merret seriozisht me problemet tona. Unë bëj të paktën një gjë, që mund të bëj rekurs në Gjykatën e Lartë, deri këtu mund të shkojë KLSH-ja. Gjykata e Lartë s bën asgjë, Gjykata e Lartë s kthen as përgjigje, as mirë, as keq. Kjo është e vërteta", vijon Çeku. Deklaratat e Çekut u bënë në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, ku është paraqitur raporti i KLSH-së për vitin 2008. I pranishëm ka qenë edhe Ministri i Financave që paraqiti buxhetin faktik 2008. Të dy raportet konfirmojnë njëri-tjetrin dhe zbulojnë se dëmi që i është shkaktuar buxhetit ka qenë 1.5 miliard lekë. Ceku nuk ka nguruar të bëjë edhe këtu një deklaratë të fortë për pushtetin vendor. "Po t i referohemi statistikave që kemi ne, pushteti lokal në formë figurative ka rolin e çakallit . Dëmet më të mëdha për fondet e shtetit, i kryen pushteti lokal. Shkeljet që në gjejme në pushtetin lokal nga viti në vit kanë tendencë të rriten. Prandaj them që kryetarët e komunave kanë rolin e çakallit", deklaroi ai. Në komisionin e Ekonomisë Çeku ka debatuar me ministrin Bode edhe për reformat që duhen ndërmarrë në auditimin e fondeve publike.

Reagon Bode

Administrata, 1.5 miliardë lekë dëm shtetit

Administrata shtetërore i ka shkaktuar buxhetit të shtetit, gjatë vitit të kaluar, një dëm prej 1.5 miliardë lekësh. Drejtuesit e kontrollit të lartë të shtetit dhe Ministrisë së Financave kanë raportuar në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë lidhur me buxhetin faktik të ekonomisë. Shlyerja 100% i këtij dëmi kërkuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit ka shkaktuar debate mes kreut të KLSH-së Çeku dhe ministrit të Financave Ridvan Bode. “Duhet të gjejmë një mënyrë për këta që kanë shkelur ligjet e shtetit të paguajnë për dëmin që i kanë shkaktuar buxhetit. Nuk mund t i lemë kështu thjesht me rekomandimet e KLSH-së, me vërejtje apo me propozimet që mund të bëhen për largim nga puna. Këta duhet të mësojnë të zhdëmtojnë arkën e shtetit. Ka ardhur një kohë që gjendja duhet të ndryshojë,” u shpreh kryetari i KLSH-së, Robert Ceku. “Ju na bëni një propozim që këto të arkëtohen në mënyrë të menjëhershme nga buxheti i shtetit, por të drejtën e ankimimit e ka çdo individ dhe nuk mund t i presim rrugët për të shkuar në gjykatë. Ne vazhdojmë të mbartim akte të cilat nuk mund të ekzekutohen. Nga e gjithë dosja që KLSH-ja prezanton dhe që e ndjekim në rrugë gjyqësore na del zero”, theksoi ministri Bode. Kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka theksuar se duhet një reformë e thellë në sistemin gjyqësor me qëllim përmirësimin e tij.
Shifrat
Rreth 4,2 miliardë lekë parashikon të shpenzojë qeveria për periudhën 2009-2012 si fond për kompensimin e të gjithë ish-pronarëve në vendin tonë. Në programin buxhetor afatmesëm për vitin 2009 është miratuar vlera prej 600 milionë lekësh, ndërkohë që për vitin 2010 kjo shifër do të arrijë në 700 milionë lekë dhe në vitin 2012 pritet që shifra të arrijë në 1,2 miliardë lekë, ndërsa në vitin 2012 në 1,7 miliardë lekë në dispozicion të ish-pronarëve. Sipas programit, politikat konsistojnë në njohjen dhe respektimin e të drejtave të pronësisë së subjekteve të shpronësuara nëpërmjet njohjes së pronës, kthimit dhe kompensimit fizik e financiar. “Realizimi i procesit të njohjes kthimit dhe kompensimit të pronave do të përcaktohet në një kohë sa më të shkurtër dhe kthimi fizik i pronës do të bëhet në kufijtë maksimal, aty ku është e mundur dhe në pamundësi kompensimin e saj sipas formave të përcaktuara në ligj, kompensim fizik ose kompensim financiar”, - theksohet në projektin e Ministrisë së Financave.
Ky lajm është publikuar: 02/10/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›