E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vidhet anija në Portin e Durrësit

Nxjerr në tokë "Adrianën", ia vjedhin. Ky ka qenë fati i mjetit lundrues 1,5 tonësh në pronësi të Fatmir Abazit, ndërkohë që vjedhja është kryer brenda territorit portual, i rrethuar edhe nën masa sigurie. Ditën e djeshme, pronari i anijes "Adriana" ka denoncuar në polici vjedhjen e objektit në pronësi të tij. Denoncimi është bërë tri ditë pas konstatimit të vjedhjes, pasi Abazi 38-vjeçar ka tentuar ta gjejë vetë se ku ka përfunduar anija e tij dhe kur ka dështuar në këto përpjekje, i është drejtuar policisë. Ai e kishte nxjerrë për riparime nga deti në tokë anijen 1,5 tonëshe në zonën e kalatës lindore të Portit të Durrësit. "Jam përpjekur këto ditë të gjej vendndodhjen e saj, po nuk kam mundur të zbuloj asgjë", mësohet të ketë thënë Abazi, ndërsa duket e çuditshme zhdukja e një anijeje të vogël në territorin e portit më të madh të vendit. Policia bëri të ditur se e ka pranuar denoncimin dhe kanë nisur hetimet e para për veprën penale të vjedhjes dhe gjetjen e autorit të saj. Dyshohet se anija e vjedhur mund të ketë përfunduar për skrap.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›