E Diel, 1 Nëntor 2026

"Gjiri i Gjeneralit", të hetuarit të ndalohen të udhëtojnë jashtë shtetit

Hetuesit e skandalit të falsifikimit të 48 hektarëve pronë në vendin e quajtur "Gjiri i Gjeneralit", në Komunën Synej në Kavajë, u kanë propozuar drejtuesve të Prokurorisë së Tiranës masat e para shtrënguese ndaj personave që hetohen për këtë aferë. "Tetë shtetasve që ndodhen nën hetim për këtë dosje, t‘u ndalohet të udhëtojnë jashtë shtetit. Gjithashtu, të sekuestrohen pasaportat e tyre deri në një kërkesë zyrtare për masa të tjera ndaluese", është propozimi i hetuesve për titullarët e tyre. Pritet që në ditët në vijim drejtuesit e Prokurorisë së Tiranës të marrin një vendim përfundimtar nëse do të dërgojnë një kërkesë të tillë në Gjykatën e Rrethit apo jo. Ndërkohë, burimet nga Prokuroria e Tiranës thanë se po vazhdojnë të mbledhin prova për parregullsitë në shpronësimin e familjes Shijaku në Komunën Synej në Kavajë.

Masat shtrënguese

Hetuesit e Prokurorisë së Tiranës thanë se kërkesa për masat shtrënguese ndaj personave që janë nën hetim për mbivendosjen e pronave në Komunën Synej në Kavajë ka ardhur pas dyshimeve të arsyeshme se ata mund të largohen nga Shqipëria. "Të hetuarit kanë shkaktuar një dëm të konsiderueshëm nga falsifikimi i dokumenteve të pronës në bregdet. Ata kanë falsifikuar firmat e shtetasve Nexhmi e Jonuz Shijaku dhe kanë arritur të zhvendosin 12 hektarë tokë në një zonë në bregdet, duke e trefishuar", deklarojnë hetuesit e çështjes, duke saktësuar se veprimi i mësipërme ndëshkohet së paku me arrest, gjë e cila nuk ka ndodhur pas hetimeve të para. Dyshohet se me anë të falsifikimit të dokumenteve zyrtare, zyrtarët e zyrave rajonale të AKKP-së së Tiranës dhe punonjës të zyrës së Avokatisë së Shtetit në kryeqytet kanë tentuar të vjedhin pronën shtetërore nëpërmjet "falsifikimit të dokumentacioneve" dhe "shpërdorimit të detyrës".

Kjo pronë, e cila ishte rreth 12 hektarë tokë dhe që u takonte kërkuesve, është rritur me anë të falsifikimit dhe është bërë rreth 116 hektarë tokë. Përveç shtimit të sipërfaqes, kjo pronë ka rezultuar edhe e ndryshuar në planin e vendndodhjes si pronë, ku është spostuar buzë detit. Zyra Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës mësohet se ka "kopsitur" dosjen e skandalit të pronave me prova ku përfshihen përgjime, ekspertiza, dokumente shkresore, raport-vëzhgime përgjimi dhe filmimi apo fotografimi ambiental, si dhe thënie dëshmitarësh. Sipas burimeve zyrtare të organit të akuzës, 30 dëshmitarë janë marrë në pyetje në prokurori që nga tetori 2008 deri më tani lidhur me këtë çështje. "Të gjithë këta persona kanë dhënë deklarimet që plotësojnë elementët e provës për akuzat e ngritura deri më tani, shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh zyrtare", thanë burimet e Prokurorisë, duke shtuar se në ditët në vazhdim do të vendosin nëse do të marrin ndonjë masë shtrënguese ndaj të akuzuarve.

Të hetuarit

Grupi hetimor i dosjes "Gjiri i Gjeneralit" deklaron se ka propozuar masa shtrënguese për të gjithë personat nën hetim. Mësohet se ish-kryetari i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Tunxh Vatnikaj, i shkarkuar pak ditë më parë nga detyra me vendim qeverie, është zyrtari më i lartë, por jo i vetmi, që po hetohet nga Prokuroria e Tiranës për skandalin e pronave në bregdetin e Kavajës. Burime zyrtare të prokurorisë thanë se janë marrë në hetim edhe ish-krerë të Agjencisë së Kthimit të Pronave të Tiranës, punonjës të kësaj agjencie, si dhe zyrtarë të Kadastrës dhe të Hipotekës së Tiranës. Përmes një procesi me mangësi ligjore dhe me dokumente false, dyshohet se 110 hektarë tokë shtetërore janë përdorur padrejtësisht për kompensimin e disa personave që nuk janë ish-pronarë, por që janë hequr si të tillë me anë të dokumenteve që prokuroria po i eksperton pas dyshimeve se janë të falsifikuara. Prokuroria tha se procedura është firmosur nga ish-kreu i pronave, Tunxh Vatnikaj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›