Berisha: Kodi të korrigjohet
ADI SHKEMBI
Kryeministri Berisha përsërit thirrjen ndaj Partisë Socialiste, për t’i krijuar hapësirën e përfaqësimit në komisionet e votimit Lëvizjes Socialiste për Integrim. Teksa fliste në mbledhjen e qeverisë, ku prezantoi modelin e ri të kartave të identitetit dhe pasaportat dixhitale, kreu i qeverisë u shpreh se një forcë politike, e cila ka 8 deri në 10 për qind elektorat nuk mund të anashkalohet. “Kodi zgjedhor është në diskutim. Dua të jem fare i hapur dhe ftoj zotin Rama të dëshmojë sens kompromisi me forcën politike, që ka 8 deri në 10 për qind të elektoratit. Nuk është në interesin e vendit përjashtimi total nga përfaqësimi në procesin zgjedhor i kësaj force politike. Këtë ftesë nuk e bëj për asnjë qëllim tjetër, përveçse për faktin se realitetet nuk duhen mohuar. Në vendime të rëndësishme, nëse injoron realitetin, të pëlqen apo jo, vendimi mbetet me probleme. Kur nuk i pëlqen, realitetet janë për t’u ndryshuar, por jo për t’u mohuar”, u shpreh Berisha. Sipas tij “uroj dhe dëshiroj të shqyrtohet mundësia e një hapësire edhe për atë forcë që, e ndrydhur nga fenomeni i ‘dushkut’ dhe për këtë duhet të jemi realistë, sepse nuk mund të themi ndryshe, ka përfaqësuar 8 apo 10 për qind të shqiptarëve në zgjedhjet e vitit 2005 dhe në vitin 2007 ndoshta edhe më shumë, pasi ka qenë në koalicion”. Megjithatë, pavarësisht thirrjeve për kompromis mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, kryeministri Berisha u shpreh, se forca që ai drejton ka një marrëveshje me partinë më të madhe të opozitës dhe do t’i përmbahet asaj, por në të njëjtën kohë shtoi, se nëse marrëveshja do të zgjerohej kjo do të ishte në të mirë të vendit. “Normalisht një çështje e tillë nuk përbënte një objekt trajtimi, por jam i bindur se shpreh mendimin e maxhorancës në këtë rast, ku duhet të përpiqemi të korrigjojmë ndonjë gjë. Ne nuk dalim jashtë teorisë së gabimeve. Mundësia është për reflektim, prandaj të reflektojmë. Nuk kam asnjë qëllim tjetër, por vetëm përfshirjen. Ne kemi një konsensus me PS-në dhe këtë nuk e mohoj, por nëse e zgjerojmë më shumë do të ishte mirë për vendin”, vijoi më tej Berisha. Në fjalën para mediave kreu i qeverisë u ndal edhe te greva e urisë së dhjetë deputetëve, për të cilën tha se kishte ndjerë keqardhje të madhe. Kjo nuk është hera e parë, që kryeministri Berisha i kërkon dy partive kryesore të opozitës, që të bashkëpunojnë për arritjen e konsensusit ndërmjet tyre për Kodin Zgjedhor. Para se ligji elektoral të votohej në Kuvend Kryeministri Berisha në një mbledhje të grupit parlamentar të PD-së është shprehur se nuk është kundër përfaqësimit të LSI-së në komisionet e votimit, por ka shtuar se ajo duhet ta zgjidhë këtë çështje me PS-në. Ndërkohë, pas kthimit të Kodit në Kuvend nga ana e Presidentit Topi, kreu i qeverisë dhe përfaqësues të tjerë të maxhorancës janë shprehur të hapur për ndryshimin e disa pikave të kodit, që kanë të bëjnë me komisionet e administrimit të votave.
Dokumentet e reja
Në mbledhjen e djeshme të qeverisë Kryeministri Berisha ka prezantuar modelin e ri të kartës së identitetit dhe pasaportës biometrike, dy dokumente që do përdoren në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme. Sipas Berishës “shfrytëzoj rastin të paraqes në këtë mbledhje dokumentet e reja të identitetit, letërnjoftimin elektronik këtë radhë të personalizuar, letërnjoftimi i përket zonjës Najada Sojli dhe me të gjithë elementet, si dhe pasaportë biometrike të personalizuar, me simbolet më të arrira kombëtare, Skënderbeun dhe shqiponjën. Sot, hapen qendrat e regjistrimit të qytetarëve në qytetin e Tiranës, nga ku do të fillojë edhe lëshimi i tyre”, theksoi Kryeministri. Sipas tij “procesi po ecën sipas parashikimit me kompaninë dhe janë garancitë e plota, që qytetarët shqiptarët do të votojnë me letërnjoftimet e reja elektronike. Procesi zgjedhor do të jetë një proces i paparë më parë, me lista të votuesve elektronike dhe me letërnjoftime elektronike”.
Si është kodi
Përbërja e KZAZ
KZAZ përbëhet nga shtatë anëtarë dhe sekretari, të cilët emërohen nga KQZ-ja sipas procedurës:
a) dy anëtarë propozohen nga partia kryesore e shumicës parlamentare, dy anëtarë propozohen nga partia kryesore e opozitës parlamentare, një anëtar propozohet nga partia e dytë e shumicës parlamentare dhe një anëtar propozohet nga partia e dytë e opozitës parlamentare. Në rast se nuk arrihet bashkëpunimi politik, sipas kësaj shkronje, grupi përkatës kompensohet me kandidaturat e partisë kryesore deri në baraspeshimin politik shumicë-opozitë.
b) Anëtari i shtatë propozohet në gjysmën e KZAZ-ve nga partia e parë e shumicës, kurse gjysma tjetër nga partia e parë e opozitës
PS: Iliri, shpresa e vetme e Saliut
Deklarata e sotme e kryeministrit Sali Berisha ku i bëri thirrje PS të dëshmojë konsensus më LSI për Kodin Zgjedhor është pritur ashpër nga selia rozë. Zëdhënësja e kryesisë Partisë Socialiste, Mimi Kodheli, tha se deklaratat e Berishës bëhen për të postuar vëmendjen e opinionit nga problemet e mëdha që ka vendi dhe maxhoranca e tij. “Nuk na çudit fare shfaqja e dyfytyrësisë së radhës, që Sali Berisha dha sot duke i qarë hallin Ilir Metës. Në derexhenë ku është katandisur Kryeministri, Iliri është vërtetë shpresa e fundit që i ka mbetur për të spostuar vëmendjen e opinionit publik nga skandalet e tmerrshme të korrupsionit qeveritar”, u shpreh Kodheli gjatë një konference për shtyp. Duke kërkuar sërish miratimin e Kodit Zgjedhor pa humbur kohë, Kodheli u shpreh se kjo do të ishte zgjidhja më e mirë për të garantuar zgjedhje brenda standardeve. “Përgjigjja jonë është e thjeshtë. Parlamenti duhet të votojë pa humbur kohë vetëm për Dekretin e Presidentit. Të tjerat janë politikë e vjetër kulisash e diversionesh, që Saliu dhe Iliri mund të vazhdojnë t’i bëjnë me njëri-tjetrin”, tha zëdhënësja e kryesisë socialiste. Edhe kryetarja e grupit parlamentar socialist Valentina Leskaj, u është përgjigjur deklaratave të Kryeministrit Berisha për çështjet e Kodit Zgjedhor. Leskaj e konsideroi deklaratën dhe qëndrimin e Berishës diversion ndaj Partisë Socialiste. “Ne e konsiderojmë absolutisht jo serioz qëndrimin e Kryeministrit Berisha lidhur me Kodin Zgjedhor, në një kohë që Parlamenti s’duhet të vonojë në asnjë mënyrë procesin e zbatimit të Kodit për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme”, tha Leskaj. Kryetarja e grupit socialist të deputetëve i kërkoi Berishës të miratojë pa vonesë Kodin Zgjedhor në Kuvend. “Vonesa e shkaktuar nga dekreti presidencial, i cili mund të ishte shmangur lehtësisht pa asnjë problem kushtetues nga ana e vetë Presidentit, s’duhet të zgjatet pa asnjë nevojë nga ana e Kryeministrit”, tha Leskaj. Ajo i ka kujtuar Kryeministrit se ai e ka për detyrë të nxisë zgjidhjen për të garantuar një zbatim rigoroz të Kodit Zgjedhor, duke filluar nga ngritja e menjëhershme e administratës qendrore zgjedhore dhe jo të bëjë cic-mic, duke luajtur me fjalë për të bërë diversion ndaj Partisë Socialiste.