Meta: Berisha, frikë nga kontestimet
Aristir Lumezi
Kryetari i LSI-së Ilir Meta, tha dje se reagimet e Berishës në lidhje me Kodin Zgjedhor vijnë si rezultat i kontestimit të tij nga shumë faktorë brenda dhe jashtë vendit. “Nuk besoj se Berishës i qan zemra vërtet për zgjedhje të lira apo për LSI-në. Unë jam i bindur që Berisha, së pari e ndjen kontestimin e gjerë brenda vendit, jo vetëm të faktorëve politikë, por edhe të shoqërisë civile, që duket qartë se ky debat veçse dëmton procesin e ardhshëm zgjedhor, ende pa nisur akoma, ende pa hyrë Kodi në fuqi”, tha Meta. Gjatë një konference për shtyp dje në selinë e LSI-së, Meta i kërkoi kryetarit socialist t’i përgjigjet zyrtarisht ftesës së tij për të biseduar për çështjet e Kodit.
“Ftesa ime ndaj zotit Rama, e cila ka qenë zyrtare dhe nuk ka qenë për mediat, por ka qenë për të, si kryetar i Partisë Socialiste mbetet e hapur, sepse unë ende nuk kam marrë një përgjigje zyrtare dhe unë besoj në reflektimin e tij, se unë i jam përgjigjur të gjitha ftesave të tij, sikurse ju e dini”, tha Meta. Sipas tij, domosdoshmëria për rregullimin e Kodit Zgjedhor duket dhe në mesazhet e shumta, që vijnë dhe nga faktori ndërkombëtar. “Ju e shikoni që çdo ditë vijnë mesazhe nga Brukseli, vijnë mesazhe nga eurodeputetë të ndryshëm, vijnë mesazhe nga institucione të ndryshme, që sa më shumë njihen me brendinë e këtij Kodi, aq më shumë kuptojnë që ky është një Kod i bazuar në kalkulime dhe lojëra të ngushta politike, e jo mbi principe, të cilat garantojnë zgjedhje të ndershme dhe zgjedhje të lira për të gjithë”, tha Meta. Sipas tij, kthimi i Kodit nga ana e Presidentit, pavarësisht nga çështja të cilës ai i referohet, sepse kuptohet që Presidenti përgjigjet për kushtetutshmërinë e akteve që ai firmos, është një moment tepër i volitshëm, që ne të realizojmë një Kod të standardeve sa më të pranueshme nga të gjithë. Kreu i LSI-së u shpreh i hapur të kontribuojë për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. “Ne jemi të hapur për të ofruar kontributin dhe mirëkuptimin tonë, në mënyrë që zgjedhjet të zhvillohen në një klimë sa më të pranueshme nga të gjithë palët dhe nga të gjithë aktorët, në mënyrë që edhe bota demokratike të vlerësojë sa më pozitivisht procesin e ardhshëm zgjedhor, i cili edhe sikur Kodi të ishte i mrekullueshëm ka shumë probleme të tjera teknike”, tha Meta.
Ndoka: Kemi luftuar së bashku me LSI-në
Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka reagoi dje ndaj deklaratës së Kryeministrit Berisha për bashkëpunimin mes PS-së dhe LSI-së. Ndoka i ka konsideruar deklaratat e kreut të qeverisë si diversione, ndërkohë që i ka bërë thirrje atij të dialogojë me Partinë Demokristiane. “Nuk janë deklarata të Kryeministrit, por janë thjesht diversione. Berisha nuk duhet të harrojë, që PDK është parti e kampit të djathtë dhe përpara se t’i bëjë thirrje PS-së për dialog me LSI-në fillimisht duhet të dialogojë me PDK-në”, u shpreh Ndoka. “Ne kemi luftuar bashkë me LSI-në për standarde dhe jo për qëllime personale”, theksoi kreu i PDK. Përplasjet mes Partisë Demokristiane dhe Partisë Demokratike nisën menjëherë, pasi Kryeministri Berisha vendosi të shkarkojë Ndokën nga posti i ministrit të Shëndetësisë. Me Kodin e ri Zgjedhor, përveç Partisë Demokratike, do të jetë Partia Republikane ajo që do të përfitojë një përfaqësues të saj në të gjitha komisionet e administrimit të zgjedhjeve.