Bushati “eksploron” Kategorinë e Parë
Trajneri i Kombëtares U-21 të Shqipërisë, Artan Bushati ka vendosur t’u japë një shans edhe disa prej të rinjve, që aktivizohen në Kategoritë Inferiore të kampionatit shqiptar. Tekniku shkodran i përfaqësueses U-21 do të zhvillojë një grumbullim me disa futbollistë që luajnë kryesisht në Kategorinë e Parë. Grumbullimi do të fillojë ditën e hënë në kompleksin stërvitor të ekipeve kombëtare në Kamzë dhe do të zgjasë dy ditë. Lojtarët duhet të paraqiten ditën e diel më 21 dhjetor para stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”. Trajneri Bushati shpreson që gjatë këtij grumbullimi të mund të fitojë elementë të rinj, të cilët do të mund t’i shërbejnë ekipit të tij në të ardhmen. Thuajse të gjithë lojtarët e grumbulluar janë të datëlindjes 1989.