E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Fitorja në zgjedhjet e 2009, jo sfidë personale

 

Partia Socialiste promovoi përmes një ceremonie në Pallatin e Kongreseve Rrjetin e Vullnetarëve të Shqipërisë me moton “Së bashku do t’ia dalim”. Kreu i PS-së Edi Rama gjatë fjalës së tij përshëndetëse kërkoi bashkim të së gjithë shqiptarëve për një rrugë të re të ndryshme nga e deritanishmja. Ai e cilësoi fitoren e zgjedhjeve të 2009 jo si mjet për të marrë pushtetin. “Zgjedhjet e qershorit të ardhshëm nuk janë zgjedhjet e mia, po zgjedhjet tuaja. Fitorja e tyre ka të bëjë me sfidën time personale, aq sa çka të bëjë edhe me sfidën e secilit prej jush, në një kohë sfidash të mëdha kur Shqipërisë i duhet me patjetër një rrugë e re. Nuk na duhet një fitore për të çuar në pushtet disa njerëz në vend të disa të tjerëve, po një pushtet që të na çojë në fitoren e këtyre sfidave, që s’mund t’ua lemë të tjerëve”, tha Rama. Kreu socialist sqaroi dje para të rinjve se fitorja e në 2009, në radhë të parë ka të bëjë me një politikë ndryshe, që duhet të vendoset në Shqipëri. “Është koha për një politikë të re. Na takon ne t’i japim jetë kësaj politike, duke u treguar të gjithëve se politika ka lindur për të zgjidhur së bashku gjëra, që vetëm nuk i zgjidhim dot kurrë. Së bashku do t’ia dalim duke filluar nga fitorja e vitit 2009", vazhdoi Rama. Ai bëri thirrje që të rikthehen në politikë ata që e kanë braktisur atë nga zhgënjimi i deritanishëm. “Është koha që asnjëri të mos e lërë vendin e tij bosh dhe të mos kthejë shpinën ndaj politikës. Të gjithë ju që nuk merreni me politikën, do të thotë që ta lini atë të bëjë çfarë të dojë me ju” tha Rama. Drejtuesi i Rrjetit të Vullnetarëve të Shqipërisë Sajmir Tahiri, pasi falënderoi kryetarin socialist Edi Rama, i cili sipas tij i dha jetë këtij projekti, kërkoi që ky rrjet të rritet çdo ditë pasi aty nis dhe zanafillën fitorja e 2009. “Kam frikë të përmend emra falënderimesh sepse në çdo rast, do lija shumë papërmendur por më lejoni t’i them në emrin tuaj Faleminderit njeriut që i dha jetë këtij projekti, ky është Edi Rama. Lindëm dhe do rritemi, sepse kaq sa jemi nuk mjaftojmë. Do rritemi me vullnetarë e vullnetare në qytet e fshat, komuna dhe bashki, në çdo pallat e në çdo shtëpi, shkolla dhe universitete, pra do rritemi kudo ku ka shqiptarë që te kjo qeveri shohin virusin e jo ilaçin, errësirën e jo dritën, të shkuarën e jo të ardhmen”, tha Tahiri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›