E Diel, 1 Nëntor 2026

Bogdani kthehet në çështje te Kievo

 

Erjon Bogdani, sulmuesi i Kombëtares shqiptare është shndërruar në çështje te skuadra e Kievos. Bomberi kuqezi do të mungojë edhe në ndeshjen kundër Xhenoas, fundjavën e ardhshme, për shkak se ende nuk është rikuperuar nga dëmtimi që e mban prej tri javësh jashtë fushave të gjelbra. Trajneri i Kievos, Di Karlo, ka përsëritur se mungesa e shtatlartit shqiptar ndihet tej mase në ekipin që drejton, pasi në skuadër nuk ka asnjë sulmues tjetër me tiparet e tij. “Hasim vështirësi në mbrojte, pasi nuk jemi në gjendje të mbajmë larg kundërshtarët. Nuk arrijmë të bëjmë dot presion në prapavijën e kundërshtarit, pasi na mungojnë lojtarë të rëndësishëm, një ndër të cilët është edhe Bogdani”, - ka thënë trajneri i skuadrës veroneze. Ndërkaq, në komentet e tifozëve, në uebsajtin zyrtar të Kievos, fansat e skuadrës verdheblu kanë kërkuar shpjegime nga stafi për dëmtimin e shqiptarit. Ata janë shprehur kritikë në lidhje me gjendjen që po kalon sulmuesi, pasi sipas tifozëve, stafi asnjëherë nuk ka përcaktuar qartë se kur mund të rikthehet Bogdani në skuadër. “Nuk e kuptoj se përse shkoi kaq gjatë dëmtimi i Bogdanit, ndërkohë që fillimisht u tha se bëhej fjalë vetëm për një dëmtim të lehtë”, - shkruante një tifoz.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›