Zhoze Murinjo kërkon Lorik Canën tek Interi
Jetmir Halilaj
Zhoze Murinjo, trajneri i Interit, është i interesuar për Lorik Canën, duke e cilësuar atë si një alternativë për të forcuar repartin e mesfushës. Sipas medias franceze, nuk është aspak çudi që mesfushori i përfaqësueses shqiptare dhe njëkohësisht edhe kapiteni i Olimpikut të Marsejës, në janar të mund të transferohet te skuadra e Interit. Sipas uebsajtit sportiv francez, football.fr, Interi është i gatshëm të përdorë Hernan Krespon si shkëmbim, për të ulur çmimin e mesfushorit shqiptar. Klubi zikaltër kërkon që të largojë gjatë muajit janar sulmuesin argjentinas, për shkak se ai nuk bën më pjesë në planet e teknikut portugez. Sipas medias italiane dhe asaj franceze, po projektohet kalimi i Krespos në kampionatin francez dhe të vetmet klube që mund të paguajnë rrogën e tij janë Lioni, Marseja, Paris SG dhe Bordo. Sipas medias franceze, nëse Krespo transferohet në Francë, me shumë mundësi do të shkojë te Marseja, ekip që vuan mungesën e një qendërsulmuesi të mirëfilltë. “Me këtë lëvizje, drejtuesit e Inerit kanë ndërmend të zgjidhin njëkohësisht dy probleme, pasi Krespo mund të shërbejë si pedanë për të marrë një nga dy mesfushorët e Marsejës, Lorik Canën, që është prej kohësh nën vëzhgimin e Interit dhe Çarls Kabore, të cilin Murinjo e kërkoi te Çelsi kur drejtonte londinezët”, shkruhej në uebsajtin football.fr. Mesfushori shqiptar nuk e ka fshehur asnjëherë dëshirën për të luajtur në një nga klubet elitare evropiane. Madje, pak javë më parë ai pohoi publikisht se në fund të sezonit mund të largohet nga skuadra e Marsejës. Për kapitenin e skuadrës franceze interesohen disa nga klubet më të mëdha evropiane si Reali i Madridit, Arsenali, Bajerni i Mynihut, Evertoni dhe Roma. Cana ka thënë se për karakteristikat që ka, do të përshtatej mjaft mirë në kampionatin anglez, por Seria A është një kampionat që e tërheq shumë. Ndërkaq, drejtuesit e klubit të Marsejës kanë bërë të ditur se skuadrat që dëshirojnë të marrin shërbimet e Canës, duhet të dredhin një shumë mbi 20 milionë eurosh për të blerë kartonin e tij. Aktualisht Lorik Cana cilësohet si një nga mesfushorët më të mirë në rolin e tij në kampionatin francez.