E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: “Kompensimi monetar i pamundur, kthimi i pronës e vetmja zgjidhje”

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar në mbledhjen e radhës së qeverisë se kompensimi monetar i ish-pronarëve të tokës është pothuajse i pamundur dhe se fatura për këtë kompensim është e papërballueshme. Berisha ka bërë publike strategjinë e demokratëve dhe mazhorancës për këtë çështje që është asgjë tjetër veç kthimi fizik apo konvertimi me tokë në zonat turistike, një vendim tashmë i studiuar dhe i miratuar edhe nga Këshilli i Ministrave. Në fillim të javës së ardhshme, qeveria do të miratojë një skemë të re të kompensimit për ish-pronarët, jo në para, por në troje turistike. Duke parë edhe nivelin e çmimit të tokës, kryesisht në kryeqytet, Kryeministri tha se është e papërballueshme për qeverinë që ajo të bëjë kompensimin monetar të ish-pronarëve, kështu që zgjidhje janë tokat e lira në zonat turistike të Adriatikut, një pjesë e Jonit dhe zonat buzë liqeneve të Shkodrës e Pogradecit. Shefi i ekzekutivit në mbledhjen e Këshillit të Ministrave nënvizoi se “një grup Ad-hoc ka punuar me intensitet për identifikimin e tokave publike në zonat turistike për të kompensuar pronarët shqiptarë. Në brigjet turistike të deteve dhe liqeneve janë identifikuar mijëra hektarë. Procesi i kthimit dhe kompensimit të pronave është një proces themelor, me një faturë që vjen në rritje progresive, sepse çdo vit çmimi i trojeve rritet. Ai ka arritur në 2 mijë euro në qendër të Tiranës dhe ju siguroj se në vitet në vazhdim do të arrijë në 5 mijë e më shumë euro. Ndaj është jashtëzakonisht e rëndësishme për vendin, në përputhje me detyrimin madhor që shteti ka ndaj ish-pronarëve, që ato të rikthehen ku është e mundur, të kompensohen.
Kompensimi
Pa faktorin kompensim, ky proces nuk mund të kompletohet në asnjë mënyrë, sepse zëniet e sipërfaqeve janë shumë të mëdha dhe janë jashtëzakonisht të kushtueshme. Harta e çmimeve është përfunduar dhe mbi bazën e atyre çmimeve do mund të përdoret një sipërfaqe e madhe që është identifikuar dhe verifikuar me të gjitha dokumentacionet se është sipërfaqe publike. Mbetet për të përcaktuar procedurën e transferimit, të dorëzimit dhe mënyrën si do të shpërndahet kjo sipërfaqe.
Paragjykimet për strategjinë
Opinionet në këtë moment mund të jenë të ndryshme, por unë gjykoj se ky është një detyrim absolute yni dhe pa këtë sipërmarrje, pa vënien në dispozicion të disa mijëra hektarëve tokë në troje turistike për ish-pronarët, ky proces nuk do të mund të marrë zgjidhje. Vetëm qendra e Tiranës, me çmimin e saj aktual dhe që pothuajse kudo ka pronarët e vet, përbën një bazë monetare aktualisht të papërballueshme, ndaj duhet të përdorim të gjitha mundësitë dhe mundësia e parë më e madhe është t u ofrojë pronarëve troje turistike. Sigurisht që këto troje do të mund të përdoren në përputhje me parimet e platformën e zhvillimit të turizmit, por në këtë mënyrë përdoren sot edhe trojet private, për të cilat ka një përcaktim se si dhe cilat prej tyre do të mund të përdoren për zhvillimin e turizmit. Natyrisht, trojet që u ofrohen pronarëve do të jenë troje që mund të përdoren dhe jo që përjashtohen nga kritere përjashtuese për ndërtime.
Zonat e kompensimit
Territoret janë bregu i Adriatikut, një pjesë e bregut jonian dhe dy liqenet, ai i Shkodrës dhe Pogradecit. Një shqyrtim duhet të bëhet edhe për zonën jashtë parkut kombëtar të Dajtit dhe malit të Priskës. Studimi ka avancuar shumë dhe po shkon drejt finalizimit. Është e domosdoshme që javën e ardhshme të vijnë në qeveri aktet nënligjore të procedurës së këtij procesi.
Detyrimet
Ne duhet të bëjmë çdo përpjekje për të kompensuar pronarët, sepse ky është një detyrim që rrjedh nga thelbi i këtij sistemi. Ne nuk mund t u themi pronarëve, siç u thotë ish-kryetari i Bashkisë, “shkoni dhe gjeni partinë tuaj”. Ne jemi parti e mazhorancë e hapur, por nuk mund të injorojmë në asnjë rast e rrethanë një detyrim absolut ndaj tyre, përndryshe, në qoftë se ne nuk i qëndrojmë plotësisht kthimit dhe kompensimit të saj, siç ka përcaktuar Kushtetuta e vendit, por siç e ka në themel edhe Kushtetuta e këtij sistemi, prona nuk do të gjejë ndonjëherë stabilitet në këtë vend. Ministria e Drejtësisë do të sjellë aktet.
Grupet e interesit
Neve na interesojnë mendimet e atyre që janë të gatshëm të kontribuojnë për zgjidhjen e këtij procesi shumë të vështirë, të ndërlikuar e të rëndë dhe konsultimet me grupe interesi jo të politizuara, pasi ka prej tyre që bëjnë politikë më shumë sesa flasin për pronën. Besoj se me këtë paketë ne ia dalim t i japim një përgjigje jashtëzakonisht serioze këtij problemi, ndonëse nuk mund të them se shkon në një zgjidhje përfundimtare, por kjo krijon kushte të sigurta dhe nxjerr në horizont zgjidhjen përfundimtare të tij. Parlamenti ka bërë një ligj shumë të mirë që detyron qeverinë që 10 për qind të çdo privatizimi ta kalojë si fond kompensimi dhe ky është ligji i buxhetit të këtij viti, të cilin e vlerësoj është shumë të drejtë. Natyrisht, përgjigjja më e fuqishme që mund t i japim dhe që mund ta çojë realisht drejt zgjidhjes këtë çështje, është vënia në dispozicion të këtij procesi të disa mijëra hektarë troje turistike. Shpresoj që kjo nismë e qeverisë të ketë një mirëkuptim të gjerë, pasi zgjidhja e problemit të pronësisë është kushti më themelor për stabilitetin dhe zhvillimin e tregut të lirë.
Kritikat për pronën
Atyre që diskutojnë me qortim për problemin e pronave, duke mos injoruar se ka defekte dhe probleme, dua gjithashtu t u rikujtoj se është një problem jashtëzakonisht kompleks dhe me një faturë të jashtëzakonshme, por kjo qeveri ka një vullnet të hekurt për të ecur drejt zgjidhjes. Javën e kaluar ne shpallëm kreditimin e të gjitha familjeve që do të lirojnë rreth 3 mijë banesa të pronarëve. Sot, informojmë pronarët për këtë nismë të re, e cila është e domosdoshme. Kjo nismë e bën procesin e kthimit e kompensimit të pronave të arritshëm. Unë e kuptoj, mund të ketë pikëpamje se kjo mund të dëmtojë zhvillimin e turizmit, por mendoj se kjo e ndihmon zhvillimin e tij. Nuk ka marrëdhënie më solide se marrëdhëniet kontraktuale midis privatëve. Një proces që mund të duket se krijon një problem, në fakt është një proces që zgjidh një problem të madh”, - përfundoi kryeministri Berisha.

Ky lajm është publikuar: 26/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›