Berisha, Krasniqi: Kosova, investime në Shqipëri
Kryeministri Sali Berisha u takua dje me akademikun dhe politikanin e njohur nga Kosova, zotin Mark Krasniqi, i shoqëruar nga zoti Nikollë Shabani, përfaqësues i shoqatave të diasporës. Në këtë takim, Krasniqi uroi Berishën për fitoren në zgjedhje, si dhe vlerëso kontributin që qeveria e Shqipërisë dhe Kryeministri Berisha kanë dhënë ndaj Kosovës. Nga ana e tij, Berisha falënderoi bashkëbiseduesit për urimin dhe vlerësoi kontributin e madh që diaspora ka dhënë për Kosovën. Kryeministri vlerësoi arritjet e mëdha të Kosovës, duke vënë theksin në stabilitetin dhe konsolidimin e pavarësisë. Më tej, Kryeministri Berisha i njohu bashkëbiseduesit me investimet në infrastrukturë të cilat e lidhin Shqipërinë me vendet e tjera të rajonit, duke veçuar rrugën Shëngjin-Ulqin, ndërtimi i së cilës pritet të fillojë së shpejti. Kryeministri Berisha po ashtu vlerësoi kontributin e diasporës në investimet në Shqipëri.