Berisha: Kredi të buta për gratë biznesmene
Kryeministri Sali Berisha prezantoi dje programin e Partisë Demokratike për gruan, duke premtuar mbështetje të qeverisë ndaj kësaj gjinie përgjatë 4 viteve që vijnë. Gjatë konventës së Gruas Demokrate, organizuar në Pallatin e Kongreseve, Berisha njoftoi se qeveria do të bëjë të mundur përcaktimin e kuadrit të ri ligjor për të mbështetur gratë që për një arsye apo për një tjetër kanë mbetur kryefamiljare si dhe për t’i mbrojtur ato nga dhuna. Por qeveria ka programuar dhe kredi të buta për gratë biznesmene përgjatë mandatit të ri katërvjeçar. Duke folur për mbështetjen që programi i PD-së ka për gratë, kreu i qeverisë deklaroi se do të garantohen kredi të buta për gratë biznesmene, në mënyrë që siç tha Berisha “të bëjnë një histori suksesi biznesin e tyre”. Sipas tij, qeveria do të jetë garanci për gratë biznesmene duke i mbështetur ato me kredi të buta. Kryeministri Sali Berisha premtoi se 4 vitet që vijnë do të jenë vitet e një emancipimi më të madh shoqëror në fjalën përshëndetëse në Forumin e Gruas së PD-së, organizmi më i madh i grave demokrate në Shqipëri që pasditen e djeshme çeli fushatën elektorale të 28 qershorit në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, salla me kapacitet më të madh në vend. “Ne çelim fushatën elektorale, fushatën e fitores, fushatën e ëndrrave të shndërruara në realitet, për ju dhe për fëmijët tuaj”, - tha Kryeministri Berisha, duke iu drejtuar disa mijërave grave të pranishme në këtë takim. Ai theksoi se “PD-ja ecën sot e sigurt në fitoren e thellë të 28 qershorit, pasi së bashku kemi shndërruar në realitet projekte të mëdha”. “Së bashku në 4 vite pamë se Shqipëria u ngjit në një horizont që s’kishte qenë kurrë me parë”, - tha Kryeministri. Ai garantoi se mbetet i përkushtuar për ta vendosur gruan në piedestalin e duhur. Berisha vuri në dukje se shoqëria nuk mund të jetë e emancipuar, në rast se gruaja nuk vendoset ne piedestalin e duhur. Kryeministri siguroi se numri i grave deputete në Kuvendin e ardhshëm do të jetë më i lartë se kurrë me parë. Duke u ndalur tek vëmendja e qeverisë ndaj gruas në këtë mandat që po mbyllet, z. Berisha cilësoi se 59 për qind e administratës është e përbërë nga zonja dhe zonjusha. "Hapat janë të mëdha dhe këto hapa u ndërmorën pikërisht nga kjo mazhorancë, në të cilën ju jeni bashkëthemeluese”, - tha z. Berisha. Ai vlerësoi vullnetarizmin, përkushtimin e grave në fushatën elektorale, "vendimtare për fitoren e mazhorancës aktuale". Sipas tij, qeveria me programe selektive do të mbështesë veprimtarinë e grave në të gjitha fushat.