E Diel, 1 Nëntor 2026

Kompensimi i pronave, aplikimi brenda pak ditësh



Procesi për kompensimin financiar të pronave pritet të nisë brenda pak ditësh. Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Elvis Cefa, tha dje se pritet që brenda pak ditësh të nisë aplikimi. Sipas vendimit të qeverisë, kriteret e përfitimit financiar janë të ngjashme me vitin e kaluar që do të thotë se kompensohen pronat deri në 200 metra katrorë si dhe kërkesat që janë bërë sa më shpejt në vite. Për këtë vit janë parashikuar 600 milionë lekë të reja ose 100 milionë lekë më shumë se vitin e kaluar. Sipas drejtorit Cefa, aplikimi do të jetë i hapur për 30 ditë dhe ftohen të gjithë ish-pronarët që të bëjnë aplikimin përkatës. Pas datës 20 qershor, do të nisë vlerësimi i kërkesave dhe më pas në fillim të muajit korrik do të shpallen fituesit e kompensimit financiar. Njëkohësisht nga një vendim i fundit i qeverisë është miratuar një formular i veçantë që thjeshtëson punën mes AKKP-së dhe ZRPP-së. Formulari ka titullin “Modelar i konfirmimit të gjendjes juridike të pronës për kompensim”, që duhet të plotësohet nga zyrat rajonale të AKKP-ve dhe zyrave vendore për regjistrimin e pasurive të paluajtshme. Ky formular shërben për marrjen e verifikimit nga ZRVPP-të mbi gjendjen e pronësisë së subjektit të shpronësuar që aplikon për t’u kompensuar, për fondin prej 600 milionë lekësh të reja. Modelari përmban katër pika gjithsej dhe do të verifikojë vlefshmërinë e aktit të pronësisë që ish-pronari ka paraqitur fillimisht në AKKP për të aplikuar për kompensimin financiar të vitit 2009. Në pikën 1 është përcaktuar që zyra e Hipotekës të shprehet për vlefshmërinë e regjistrimit të vendimit përkatës. Në pikën 2 për verifikimin e gjendjes juridike të pronës nga çasti i daljes së vendimit të paraqitur. Në pikën 3, ZRVPP-ja duhet të verifikojë nëse subjekti i shpronësuar apo trashëgimtari i tij ka regjistruar ushtrimin e së drejtës së parablerjes. Në pikën e katërt duhet të verifikohet nëse subjekti i shpronësuar ka regjistruar pronë të përfituar me kthim nga vendimet e tjerë të ish-KKKP-ve, pranë ish-këshillave të rretheve, të bashkive apo ZRKKP-ve në qarqe, në emër të tij.

Oborret në përdorim

Drejtori i AKKP-së bëri thirrje dje që qytetarët që kanë oborre në përdorim, të paraqiten në zyrat rajonale të AKKP-së për t’u njohur me procedurat juridike në mënyrë që të ligjërojnë pronën e tyre. AKKP-ja bën me dije se kohëzgjatja e procesit do të varet më shumë nga vetë të interesuarit. Pronarët e trojeve në përdorim do të duhet të paraqesin sa më shpejt dokumentacionin përkatës, i cili vërteton se toka në fjalë ka qenë pronë e tij. Më pas, AKKP-ja ka vetëm 1 muaj kohë shqyrtimi si dhe vetëm 10 ditë kohë për të dhënë vendimin përfundimtar. Në rast se dokumentacioni është në rregull, AKKP-ja mund të japë vendimin final të kalimit në pronësi të plotë të truallit në përdorim, brenda një muaji. Përfituesit e këtij vendimi do të jenë qytetarët, që në kohën e diktaturës komuniste, toka rreth shtëpive iu cilësua si “oborr në përdorim”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›