E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta i merr PS-së kryebashkiaken e Shijakut



Nuk ka humbur kohë LSI pas largimit nga radhët e saj drejt PS-së të kryebashkiakut të Lushnjes, Albert Sanxhaku, por i ka kthyer përgjigje me të njëjtën metodë duke i marrë PS-së kryetaren e Bashkisë së Shijakut. Dje në takimin e LSI-së në Durrës merrte pjesë edhe kryetarja e Bashkisë së Shijakut, Afërdita Alite, e cila i është bashkuar LSI-së. Arsyeja sipas saj është se “LSI është forca e vërtetë përfaqësuese e të majtëve në të gjithë Shqipërinë”. Ndërkohë, Meta ka akuzuar PS-në se po largon nga puna njerëzit e LSI-së në nivel lokal. Sipas tij, PS po bën gjueti shtrigash me zyrtarët e LSI-së.

Me një dekor të veçantë dhe spektakël paraprak që ka filluar rreth orës 18:00 LSI-ja ka hapur fushatën elektorale në qarkun e Durrësit për zgjedhjet e 28 qershorit. Hapja e fushatës është zhvilluar në pallatin e sportit “Ramazan Njala” në Durrës në prani të kryetarit të LSI-së, Ilir Meta, dhe 13 kandidatëve të qarkut të Durrësit. Takimi është hapur nga kandidati që është në vendin e dytë të listës prej 13 emrash, analisti Artur Zheji. Ai është shprehur se Durrësi si qytet i vjetër dhe me tradita nuk e meriton një qeverisje të tillë, prandaj në zgjedhjet e 28 qershorit i duhet dhënë fund këtij fenomeni dhe duhet votuar për LSI-në. Pas tij kanë folur dhe disa kandidatë të tjerë, ndërsa Lefter Koka, i cili kryeson listën e LSI-së për Durrësin, është shprehur: “Ashtu siç punova tre vjet si kryetar bashkie, ashtu kam dëshirë të punoj përsëri për ju. Qyteti ynë ka nevojë për ndryshim dhe ne do të punojmë të gjithë së bashku për këtë ndryshim. Unë kërkoj votën tuaj për të vazhduar atë që lamë në mes, për të ndryshuar Durrësin dhe gjithë Shqipërinë”. Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, ka theksuar që në fillim se ekipi prej 13 vetash që është përzgjedhur në Durrës, është më i miri nga të gjitha partitë dhe ne jemi të bindur se ky ekip do të shpallet fitues. Meta ka folur me superlativa për Lefter Kokën, si kryetar i bashkisë në vitet 2003-2006 dhe që ka bërë një punë mjaft të admirueshme. Më pas Meta ka deklaruar: “Dua të shpreh zhgënjimin tim në lidhje me largimin sot nga puna të një qytetari të nderuar të Durrësit dhe të një figure të shquar në sport si ajo e Shyqyri Ballgjinit”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›