E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sondazhi i “Gani Bobit”, betejën e Elbasanit e fiton PD-ja



Partia Demokratike do të fitojë qarkun e Elbasanit. Sondazhi i radhës i Institutit “Gani Bobi”, tregoi se PD-ja ka një avantazh të thellë ndaj PS-së në këto zgjedhje në këtë qark. Ndryshe nga viti 2005, ku Partia Demokratike fitoi vetëm 1 mandat deputeti në këtë qark, kësaj radhe, nga 14 mandate që ka ky rajon, Partia Demokratike, sipas sondazhit të djeshëm, duket se ka siguruar 7 mandate, ndërsa po lufton për mandatin e 8-të. Referuar sondazhit të djeshëm të “Gani Bobit”, Partia Demokratike ka një avantazh prej 6 për qind nga PS-ja. Duke mbledhur votat si koalicione, ai i PD-së ka një avantazh prej 2 përqindësh ndërsa Poli i Lirisë dhe LSI nuk përfitojnë asnjë mandat për shkak se kanë më pak se 5 për qind. Duket se fushata e PD-së e udhëhequr nga ministri i Jashtëm Lulzim Basha ka dhënë rezultat duke kthyer këtë qark djathtas.

Sondazhi

Anketat janë bërë ballë për ballë me 1600 votues në të gjithë qarkun e Elbasanit, si në qytet ashtu edhe në komunat e qarkut, duke marrë një ndarje proporcionale të anketave sipas numrit të banorëve. Anketat janë bërë në javën e dytë dhe të tretë të muajit maj, deri në datën 17. Nisur nga numri i anketave, marzhi i gabimit është pothuaj i papërfillshëm.

Kush do të fitojë?

Qytetarët në qarkun e Elbasanit janë pyetur se si do të votojnë në rast se zgjedhjet do të mbaheshin këtë të diel. Sipas rezultatit, në rast se zgjedhjet do të mbaheshin këtë të diel, PD do të merrte 38.6 për qind, e ndjekur nga PS me 32.6 për qind ose 6 për qind më pak. Votat e tjera janë 3.3 për qind për G99, 2.1 për LSI, 1.9 për qind për partitë e tjera, 6.1 shprehet se nuk do të votojnë për asnjë, 2.1 për qind shprehen se ende nuk e dinë, ndërsa 1.9 për qind janë ende të pavendosur. Kjo pyetje u është bërë njerëzve direkt se për këtë do të votojnë ata në rast se zgjedhjet do të mbaheshin ditën e diel.

Si voton qarku?

Një tjetër pyetje u është bërë qytetarëve, duke pasur parasysh perceptimin e tyre. Përgjigjet e kësaj pyetjeje kanë dalë të ngjashme me votën e tyre ku edhe këtu qytetarët shprehen në shumicë të bindur se PD do të fitojë qarkun e Elbasanit. Sipas të dhënave të këtij sondazhi, duke iu referuar pyetjes së kush e fiton Elbasanin votuesit janë shprehur se PD do të marrë 38 për qind, ndërsa PS do të marrë vetëm 32.6 për qind, ose 5.4 për qind më pak. Votat e tjera i takojnë 3 për qind G99, 2.1 për qind LSI, 0.6 për qind PDS, 0.3 për qind Poli i Lirisë, 0.2 për qind PBDNJ, 0.2 për qind PR, 6.1 për qind për asnjë, 11 për qind të pavendosur, ndërsa 2.4 për qind janë pa përgjigje.

Vota e deklaruar

Sondazhi i radhës në Elbasan i realizuar nga “Gani Bobi” bën edhe një ndarje në votës së deklaruar. Referuar përgjigjes së pyetjes së për këtë do të votoni në rast se zgjedhjet do të mbaheshin ditën e diel, janë hequr votat e të pavendosurve dhe aty që nuk preferojnë ta deklarojë. Kjo pyetje në sondazh, tregon në fakt votën e sigurt që kanë partitë. Sipas këtyre të dhënave, PD ka vota më shumë të deklaruara. Kështu, duke marrë parasysh votën që deklarohet, PD ka 49.3 për qind vota e ndjekur nga PS me 41.6 për qind ose rreth 8 për qind më pak. Votat e tjera të deklaruara i përkasin 4.3 për qind G99, 2.7 për qind LSI-së, 0.7 për qind PSD-ja, 0.4 për qind PAA-në, 0.4 për qind Poli i Lirisë, 0.2 për qind PR-ja, 0.2 PBDNJ-ja dhe 0.1 për qind PDK-ja. Duket se zgjedhësit që kanë vendosur të votojnë në këto zgjedhje në qarkun e Elbasanit, preferojnë të votojnë PD-në.

Performanca e Berishës

Sondazhi ka përfshirë edhe pyetjet në lidhje me standardin e tyre të jetesës si dhe performancën e punës së Kryeministrit Sali Berisha. Sipas këtij sondazhi, 38.5 për qind e qytetarëve të Elbasanit mendojnë se performanca e Kryeministrit Berisha është e suksesshme, ndërsa 28.2 për qind mendojnë të kundërtën. Rreth 10 për ind më shumë se Berisha ka punuar mirë si Kryeministër, ndërsa 31 për qind e qytetarëve mendojnë se Berisha ka punuar as mirë, as keq, ndërsa vetëm 2.2 për qind nuk kanë pranuar të japin një vlerësim. Një tjetër pyetje ka qenë edhe si se qytetarët e Elbasanit e perceptojnë nivelin e jetesës së tyre në katër vitet e ardhshme. Nga përgjigjet del se elbasanasit janë optimistë për të ardhmen e tyre.

Për cilën parti do të votoni nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin këtë të diel?

38.6% PD

32.6% PS

3.3% G99

2.1% LSI

1.9% Të tjera

6.9% Asnjë

2.1% Nuk e di

1.9 % të pavendosur

Si voton qarku i Elbasanit?

38% PD

32.6% PS

3.3% G99

2.1% LSI

0.6% PDS

0.3% Poli i Lirisë

0.2% PBDNJ

0.2% PR

6.1% Asnjë

11% Të pavendosur

2.4% Pa përgjigje

Si është vota e deklaruar në Elbasan?

49.3% PD

41.6% PS

4.3% G99

2.7% LSI

0.7 % PSD

0.4% PAA

0.4% Poli i Lirisë

0.2 % PR

0.2% PBDNJ

0.1% PDK

Si ka qenë i suksesshëm Kryeministri Sali Berisha në këtë mandat?

38.5% I suksesshëm

31% As mirë as keq

28.2% I pa suksesshëm

2.2% Pa vlerësim

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›