E Shtunë, 31 Tetor 2026

Karta identiteti, vetëm shtetasit pa pasaportë



Kompania “Sagem” me mirëkuptimin edhe të qeverisë “Berisha” pezullon dhënien e kartave të identitetit për shtetasit që disponojnë pasaporta dhe konsideron si parësorë përgjatë një muaji vetëm ata persona që nuk kanë pasaportë. Vendimi i djeshëm i qeverisë që erdhi pas një takimi të Kryeministrit Sali Berisha me “Sagem”, do të shoqërohet me sanksione për ata nëpunës të gjendjes civile që do të lejojnë dhënien e kartave të identitetit personave që kanë pasaporta. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, Berisha informoi se kapaciteti i kompanisë prodhuese të kartave “Sagem” është 400 mijë aplikime të tjera në funksion të nevojave të procesit të pajisjes që qytetarëve me kartat e identitetit. Kryeministri informoi kabinetin qeveritar për takimin e zhvilluar me kompaninë koncesionare “Aleat”, e cila merret me prodhimin e kartave të identitetit. Nga bisedimet dypalëshe u arrit që duke filluar nga data 30 maj e deri në fund të muajit qershor, kompania koncesionare “Aleat”, që zbaton projektin e prodhimit dhe shpërndarjes së dokumenteve biometrike të identitetit në Shqipëri, nuk do të lejojë kryerjen e procedurave të aplikimit dhe prodhimit të letërnjoftimeve për shtetasit që zotërojnë pasaportë për jashtë shtetit. Por edhe të gjitha kapacitetet teknike do të përqendrohen në pajisjen me letërnjoftime elektronike vetëm të shtetasve që nuk zotërojnë pasaportë. Në procesin e shpërndarjes së letërnjoftimeve të prodhuara gjer më tani, prioritet do t’i jepet kësaj kategorie shtetasish. Për të siguruar një zbatim efikas të këtij prioriteti, qeveria dhe kompania koncesionare do të bëjnë thirrje publike për ndërgjegjësimin e publikut. Gjithashtu, Kryeministri Berisha theksoi se ky angazhim do të monitorohet me seriozitet maksimal dhe se nëpunësit e shërbimit të gjendjes civile që do të lejojnë pajisjen me letërnjoftim të personave që zotërojnë pasaportë, do të përballen me masa disiplinore. Me qëllim përshtatjen e procesit të aplikimit me nevojat e qytetarëve e për rrjedhojë rritjen e efikasitetit të këtij procesi, u ra dakord qe orari ditor i punës së qendrave të aplikimit të ndahet në dy periudha, në ndryshim nga orari unik i zbatuar deri më tani. Palët vlerësuan optimizmin e mëtejshëm të kapaciteteve për aplikim dhe shpërndarje të qendrave të aplikimit në funksion të nevojave të procesit. Në fund të takimit, Kryeministri Berisha falënderoi përfaqësuesit e konsorciumit “Aleat” për angazhimin e tyre maksimal dhe shprehu bindjen e thellë në suksesin e këtij procesi. Afati kohor për marrjen e kartave të identitetit, vetëm për personat që nuk kanë pasaportë, përkon pikërisht me kohën e fushatës elektorale, e cila zyrtarisht nisi dje më datë 28 maj dhe do të mbyllet më datën 26 qershor, për t’i lënë vendin ditës së heshtjes dhe më pas datës 28 qershor, kur shqiptarët do të votojnë për Parlamentin e ri të Shqipërisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›