E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, rikthim në ‘90-n me Gramoz Ruçin



Edi Rama ka tentuar të kthehet në një simbolikë të papërshtatshme dhe të papërdorur më parë nga Partia Socialiste, Qyteti Studenti, aty ku nisi lëvizja antikomuniste shqiptare e vitit 1990. E nëse Edi Rama ka dashur të tregojë me këtë përfshirjen e tij në këtë lëvizje, s’ka gjetur njerëzit e duhur për të pasur në krah në sheshin e demokracisë. Me Gramoz Ruçin, i pozicionuar në atë kohë në krahun e pushtetit komunist, ish-sekretar i parë i partisë, duket se ka humbur që në nisje vlerën që ka dashur t’i japë Edi Rama kësaj simbolike, duke kthyer PS-në, parti që lindi nga Partia e Punës në një histori të re në një histori të ngjashme me atë të Partisë Demokratike. Fushata e PS-së u çel dje ashtu siç pritej në Qytetin Studenti, në atë qytet ku pak a shumë, pak nga ata që ishin dje në podium, kanë qenë dhe para 19 vitesh në anën e studentëve që donin të shembnin murin e komunizmit. Por Rama dje foli për shembjen e një muri tjetër që ai e ka cilësuar “politika e vjetër” dhe ka kërkuar votat për t’u bërë Kryeministri i ardhshëm i vendit.

Imazhi i fushatës

Trumbetimi për një politikë të re ka ardhur fillimisht pikërisht nga Gramoz Ruçi, ish-drejtues i lartë i PS-së që prej krijimit të saj. Ai ka sulmuar Kryeministrin Sali Berisha dhe ka ngritur lart politikën e re që përfaqëson Edi Rama. Sipas tij: “Edi Rama përfaqëson ndryshimin, punon për qytetarët e këtij vendi”. Më tej në podium janë ngjitur përfaqësues nga shtresa të ndryshme të shoqërisë, kryesisht njerëz jopublikë, një gjetje kjo e përdorur dhe në fushata të tjera të Ramës. Kandidatja për deputete në Sarandë, Luiza Xhuvani, ka vlerësuar shpirtin artistik të kreut të PS-së dhe ka thënë se ai është arsyeja që e ka sjellë në politikë. Pas saj kanë folur një e verbër, një banor nga Lapraka që ka sjellë shqetësimin e legalizimit të shtëpive, një kandidat i Shkodrës që vinte nga një familje e persekutuar dhe kreu i shoqatës së Gërdecit. Gjithashtu, Rama ka zgjedhur kandidatin e PS-së në Tropojë, Fatmir Hoxha, mes 140 kandidatëve për të dhënë mesazhin që “vetëm fitorja e Ramës do ta bashkojë Tropojën me pjesën tjetër të Shqipërisë pas izolimit 17-vjeçar”. Të gjitha fjalimet kishin në qendër Edi Ramën, duartrokitjet dhe brohorimat ishin “Edi Rama”, pra një imazh fushatë i fokusuar tërësisht vetëm tek kryetari i partisë. Nga drejtuesit aktualë të partisë, Ben Blushi ka qenë ai që ka mbajtur fjalim krahasues, nga ajo çfarë ai ka përjetuar 18 vjet më parë kur ishte student dhe tani kur është 40 vjeç. Blushi ka pranuar se ëndrra e tij e atëhershme nuk është realizuar ende. “Dikush thotë se Shqipëria po ndryshon, po është e vërtetë se diçka ka ndryshuar, sot nuk e kërcënon komunizmi, por varfëria”, - tha Blushi.

Premtimet

Kreu i PS-së, Edi Rama, që futet për herë të parë në sfidën e zgjedhjeve parlamentare si lider i kësaj partie, ka ripërsëritur në mitingun e djeshëm premtimet e njohura tashmë të turit të tij paraelektoral. Ai ka folur për “politikën e re” dhe “politikën e vjetër”. “Ndryshimi nuk mund të ndodhë pa ndryshuar politikën, ndryshimi nuk mund të ndodhë pa gjetur arsyen dhe forcën për të ndryshuar rregullat e lojës, ndaj dua të bëhem Kryeministër që loja e vjetër të mbarojë”, - tha ai. Ndërkaq, i ka kthyer përgjigje kërkesës publike të Kryeministrit Sali Berisha që të japë dorëheqjen nga bashkia dhe të hyjë në garë me të. Rama tha se ai ka një kontratë me qytetarët e Tiranës dhe ata do të vendosin për të më 28 qershor nëse duan ta bëjnë Kryeministër për të realizuar sipas tij, që “ndryshimin e Tiranës ta çojë në gjithë vendin”. Ai premtoi shërbim shëndetësor në zonat rurale, reformë në polici, vende pune. Por kryefjala e premtimeve të tij ishte shumë e ngjashme me atë të Kryeministrit aktual, integrimi në BE dhe lëvizja pa viza në Evropë.

Shiu i paparashikuar

Fjalimi i Edi Ramës nuk e pati shansin që ta dëgjonin me vëmendje të pranishmit në mitingun e djeshëm. Pas një periudhe me temperatura të larta, dje në mbrëmje ka nisur një shi i rrëmbyer, pikat e para të të cilit kanë larguar nxitimthi socialistët që po dëgjonin kryetarin e tyre. Nuk u kuptua nëse Rama u detyrua ta ndërpriste në mes fjalimin e tij në mbyllje të atij mitingu, por ai i dha fund fjalës kur supet iu lagën nga shiu që po i kullonte dhe në fytyrë. Fshehja nga shiu është një veprim instiktiv, siç ndodhi në mesin e militantëve që vunë karriget e parullat në kokë për t’u mbrojtur. Por 140 kandidatët për deputetë që e dëgjuan fjalimin e kryetarit në këmbë, qëndruan me stoicizëm edhe gjatë shiut.

PD: Rama përdhosi demokracinë

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Partisë Demokratike pas mitingut të PS-së në Qytetin Studenti. Duke iu referuar pikërisht simbolikës që tentoi të shfrytëzonte PS me këtë gjetje, PD deklaron: “Edi Rama hapi fushatën elektorale në Qytetin Studenti, duke pasur në njërin krah si gonxhe të politikës së re ministrin e Brendshëm dhe të Sigurimit të diktaturës, famëkeqin Gramoz Ruçi, që skuqi me gjakun e engjëjve të demokracisë, studentëve liberatorë, rrugët dhe sheshet e Qytetit Studenti të Tiranës dhe Shkodrës dhe në krahun tjetër ministrin tjetër të Enver Hoxhës, Skënder Gjinushin”. PD i referohej më tej prejardhjes familjare të shumë prej kandidatëve të PS-së që vijnë nga ish-nomenklatura komuniste. Në deklaratën për shtyp të kësaj partie thuhej: “Edi Rama sot përdhosi sheshin “Demokracia” duke mbledhur në atë shesh pinjollët dhe bastardët e nomenklaturës hoxhiste që studentët përmbysën nga pushteti18 vjet më parë. Në sheshin “Demokracia” me çunin e Kristaqit dhe të Xhelilit, gocën e Hamitit dhe çunin e Sul Bushatit nipat e Nexhmies dhe pasardhësve të tjerë të pushtetarëve të vjetër, ata të gjithë së bashku sonte më shumë vajtonin sesa festonin, më shumë ngjasonin me një procesion të rrënuar që kthehet në Vaterlonë e tij në prag të falimentimit politik përfundimtar”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›