Berisha në Durrës: Merrni pjesë në votime
Kryeministri Sali Berisha u bëri dhje thirrje mbarë shqiptarëve që të marrin pjesë më 28 qershor në votime. Ai ftoi qytetarët shqiptarë që ditën e zgjedhjeve të votojnë për PD-në me qëllim që të përsërisin lavdinë elektorale, atë të 22 marsit të 1992-shit. Lideri i PD-së hapi mbrëmë fushatën elektorale në qytetin e Durrësit, e cila mblodhi mijëra qytetarë në sheshin "Taulantia". Buzë detit, kryetari i mazhorancës prezantoi dhe 13 kandidatët për deputetë në Kuvendin e ri të Shqipërisë për qarkun e Durrësit. Kryeministri evidentoi prioritetet për 4 vitet e ardhshme qeverisëse nën drejtimin e Partisë Demokratike. "Katër vitet e ardhshme do të kemi një Shqipëri me qytetarë të punësuar, me pensionistë të mirëpaguar, me të rinj të mirëshkolluar. Do të kemi një vend që do të kthehet në superfuqi energjetike. Në katër vitet e ardhshme në Durrës dhe në të gjithë vendin do të investohet katër herë më shumë sesa në mandatin e parë qeverisës", - deklaroi z. Berisha. Kryeministri përmendi se Shqipëria është sot vend lider në Ballkan për thithjen e investimeve të huaja, 5.6 miliardë euro investime, janë firmosur vetëm 6 muajt e fundit. Berisha premtoi se në katër vitet që do të vijnë, Durrësi evropian, Shqipëria evropiane do të thotë para së gjithash më shumë qytetarë shqiptarë të punësuar, pensionistë shqiptarë të mirëpaguar, të rinj shqiptarë të mirëshkolluar, rrugët e Shqipërisë të gjitha të asfaltuara, do të thotë ujë 24 orë. “Do të thotë Shqipëria superfuqi e vogël energjetike, do të thotë që ne shqiptarët, që nisëm këtë rrugë 18 vite më parë me rrogat nga 4-6 dollarë në ditë, pas katër vitesh të parakalojmë 6 vende anëtare të BE-së. Së bashku le të shkojmë të votojmë në 28 qershor, të marrim pjesë të gjithë në votime. Të votoni për Ferdinand Xhaferrin, të votoni për Albana Vokshin, të votoni për Gazmend Oketën, për Eduart Halimin, Liljana Kolën, Ylli Lamën dhe të gjithë kandidatët për deputet të Durrësit”. Kryeministri u shprehu qytetarëve të Durrësit mirënjohje për mbështetjen që i dhanë PD-së dhe koalicionit të djathtë gjatë këtyre katër viteve. Berisha u ndal tek arritjet e mëdha gjatë mandatit që po lëmë pas, ndërsa përmendi anëtarësimin në NATO dhe përgatitjet për të hyrë në familjen e madhe evropiane. Berisha deklaroi se me forcën e ligjit, Shqipëria u shkëput nga kthetrat e korrupsionit, 5 miliardë dollarë në katër vjet. Kryeministri nënvizoi se "vitin e kaluar, Shqipëria pati rritjen më të lartë ekonomike në Evropë, me gjithë krizën globale në këtë fushë". Dyfishimi i rrogave dhe pensioneve, sipas z. Berisha, është një tjetër arritje e madhe e këtyre katër viteve. Arritje janë shënuar dhe në turizëm. "Vetëm gjatë vitit 2008 në bregdetin shqiptar, nga Velipoja, Durrësi deri në Sarandë kanë pushuar afro 2.7 milionë turistë, nga 300 mijë që pushuan në vitin 2004. Falë përpjekjeve të qeverisë, brenda katër viteve u asfaltuan 6 mijë km rrugë në të gjithë vendin. Vetëm në 6 muajt e fundit në vend po investohen 3.6 miliard euro", - shtoi Kryeministri Berisha. Rruga Durrës - Kukës, siç theksoi z. Berisha "është korridori më i fuqishëm në të gjithë rajonin. Ajo është rruga që do ta kthejë Durrësin dhe Vlorën në portet më të fuqishme".