Opozita braktis komisionin hetimor
12/03/2005 Deputetët e opozitës kanë bojkotuar dje mbledhjen e Komisionit Hetimor për prokurimet, pasi ministri i Transporteve nuk ishte paraqitur në takim. Në vend të tij, para deputetëve, ishte paraqitur sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë. Deputetët e PS-së e kanë cilësuar këtë si një veprim normal, ndërsa demokratët janë shprehur se nuk do të heqin dorë, deri sa në Komisionin Hetimor të paraqiten të gjithë ministrat e kërkuar, si dhe Kryeministri. Ndërkohë, kryetari i Komisionit Hetimor, Ilir Bano, ka zbardhur një sërë shkeljesh në ndërtimin e rrugës Papër-Vidhas. Sipas tij, gjithsej janë ftuar nga gjashtë shoqëri për çdo lot. "Siç del nga shqyrtimi i dokumenteve në dispozicion 5 shoqëri të njëjta janë ftuar të marrin pjesë në të dy lotët. Kurse vetëm 2 shoqëri të tjera ftohen të marrin pjesë në dy lotet e ndryshme. Vihet re një ngjashmëri e plotë e kryerjes së procedurave dhe të zhvillimit të prokurimit të vlerësimit dhe të caktimit të fituesit", tha Bano.