E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mos ma bëboni babin

12/03/2005  Deportimi shqiptarit Shkëlzen Shquti, pritja e bashkëshortes Kerry dhe lotët e vajzës Rebeka.

Trudy Mart: “Takimi në qendrën e detencionit ishte shumë i prekshëm. Ata nuk mund të ndalnin lotët”

Gazeta angleze shkrim për shqiptarin

Anglia vazhdon dëbimin e emigrantëve shqiptarë, pavarësisht se ata kanë krijuar familje. I tillë është edhe rasti i Shkëlzen Squtit, që rrezikon kthimin në Shqipëri, duke lënë pas në qytetin e Peterborough gruan dhe vajzën e vogël, e cila ka ditë që pyet: “Kur do të kthehet babi”, ndërsa anglezja Kerry Barthorpe, pret pranë telefonit ndonjë lajm për moskthimin e njeriut që vendosi të ndaj së bashku fatet e jetës. Gazeta lokale “Evening Telegraph” në qytetin e Peterborough, ka botur në faqen e parë ngjarjen e dëbimit të shqiptarit me shpresë për të sensibilizuar opinionin dhe ndalimin e dëbimit. "Metropol" sjell të plotë historinë e dhimbshme të një shqiptari që pret të dëbohet, gruas së tij që po vajton dhe rrezikon ndarjen ndoshta të përjetshme nga ai, dhe vajzës së vogël të cilës do t'i duhet të rritet pa baba. Vetëm se babai i saj fatkeq, si shumë bashkëkombas të tij në Britaninë e Madhe, është emigrant shqiptar pa dokumente.

Një vajzë e vogël mes lotëve ka ditë që po qan për babanë e saj, pa e ditur se ai është mbyllur në një qendër detencioni nga ku pritet ta dëbojnë për në Shqipëri. Situata është më e komplikuar për nënën e saj, Kerry Barthorpe, 22 vjeçe, e cila nuk mund të gjej kurajon t'i tregojë vajzës se babai i saj, një emigrant nga Shqipëria, duan ta dëbojnë nga Anglia.

Problemi

Kerry ishte e vetëdijshme ndaj problemeve që kishte bashkëshorti i saj shqiptar, në lidhje me statusin e emigrantit që nga shkurti i 2003, kur ata u martuan. Por, për të lajmi erdhi si një shok i vërtetë, kur Shkëlzen Shquti, pasi kishte shkuar për të firmosur në polici siç e bënte çdo muaj, e kishin mbajtur, duke mos u kthyer në shtëpi. Kerry, e cila banon në rrugën Branston Rise, Uelland, në qytetin e Peterborough, shpresonte që Shkëlzeni, i cili hyri ilegalisht në Britaninë e Madhe i fshehur në një kamion, kur ai la Shqipërinë në vitin 1999 mund ta lejonin të qëndronin së bashku, në mëntyrë që ata të rrisnin fëmijën e tyre pranë qytetit të Peterborough. Por, shpresat ishin shkrumuar si një letër e djegur, kur Shkëlzeni la shtëpinë për të raportuar në polici fundjavën e shkuar. Ai nuk është kthyer dhe nuk ka patur mundesi që të telefonojë dhe të thotë se është arrestuar.

Babi kur do të vish në shtëpi?

E sëmurë nga frika, Kerrit do t'i duhesh që vetë ajo të telefononte policinë për të marrë informacion. Ajo tha: "Nuk e di se çfarë mund të ketë ndodhur tek ai. Ai veçse është zhdukur. M'u desh t'i telefonoja stacionit të policisë për të marrë vesh se çfarë ka ndodhur me të, pasi ai nuk u kthye në shtëpi. Kur ata më treguan se është në detencion, unë u mpiva e tëra. Të jem e sinqertë, mund t'ju them se unë nuk do mund ta përballoj jetën pa të. E njëjta gjo do të jetë edhe për vajzën tonë. Ajo nuk fle gjumë gjatë natës, e merr telefonin, duke thënë: “Babi, babi kur do të vish në shtëpi”. Kerry tregon se ajo mbante familjen me ato para që fitonte nga puna e shitëses, në një dyqan veshjesh për burra, në qendrën tregtare të qytetit, që kur çifti u shpërngul për në Peterborough, pasi ata u takuan në qytetin e Bedfordit. Ajo shtoi: "Shkëlzeni kurrë nuk ka marrë asnjë qindarkë nga shteti në formë ndihmash sociale. Ai donte të kishte numrin e punës, në të cilin mund të derdhte taksat si gjithë të tjerët”.

Takimi

Gjatë ditës së djeshme, Kerry dhe Rebeca vizituan qendrën e detencionit në Uest Drayton pranë aeroportit, ku mes emocionesh vajza dy vjeçe takoi babanë e saj. Gjatë intervistës me “Evenig Telegraph”, ajo kishte shumë emocione dhe gjatë të gjithë kohës qëndronte pranë telefonit për të pritur ndonjë lajm shprese për të lejuar burrin e saj të qëndronte në Britaninë e Madhe. Por, një miku i saj, Trudy Mart, 40 vjec, i cili i shoqëroi gjatë vizitës në qendrën e detencionit në Londër, tha: “Takimi mes tyre ishte shumë i prekshëm. Ata nuk mund të ndalonin lotët. Kerryt, për një moment, sa nuk i ra të fikët, duke mendur që ishte hera e fundit që ata mund të takonin njëri-tjetrin.

Ministria e Emigracionit

Një zëdhënës i Ministrisë së Emigracionit “Home Office”, në lidhje me këtë çështje deklaroi se “nuk mund të komentojmë një çështje individuale. Ne kemi një rregull të prerë në lidhje me këto raste dhe jemi të vendosur të dëbojmë cilindo që nuk ka të drejta ligjore për të qëndruar në Britaninë e Madhe.

Deputetja

Helen Clark, e cila është deputete e zonës së Peterborough, deklaroi për gazetën lokale “Evening Telegraph”: ”Fakti që Shkëlzen Shquti dhe bashkëshortja e tij Kerry Barthorpe janë të martuar nuk bën ndonjë ndryshim të madh. Ai nuk mund të jetë marrë nga autoritetet e emigracionit pa paralajmërim. Home Office është i kujdesshëm dhe bën ekzaminim nëse ai ka të drejtë për të qëndruar. Nuk është vetëm një çështje e një njeriu jo legjitim që merret pa paralajmërim. Më vjen keq të pohoj se shumë njerëz kanë ardhur këtu nën një opinion të gabuar se Anglia është një vënd i butë”.

Përktheu Elton Balla

Nga Evening Telegraph

Peterborough

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›