Presidenti ka afat deri më 26 qershor për të shpallur zgjedhjet
12/03/2005 Presidenti i Republikës ka dhe tri muaj kohë për të vendosur datën e zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare. Sipas Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor, Presidenti shpall datën e zgjedhjeve deri në 75 ditë para përfundimit të mandatit të deputetëve. Ndërkohë, prej dy muajsh mes partive politike dhe Presidentit të Republikës kanë nisur diskutimet për gjetjen e një date sa më të pranueshme nga të gjitha palët. Deri më tani është theksuar se më 3 korrik shqiptarët do t'u drejtohen kutive të votimit. Burimet nga Presidenca thonë se kjo është data më e pranueshme, pasi në javën e parë të korrikut njerëzit nuk i kanë nisur ende pushimet. Kjo do të mundësojë që në votime të marrin pjesë shumica e zgjedhësve. Por dhe data 10 korrik është cilësuar si një nga mundësitë. Kuvendi ka hedhur poshtë mundësinë e afrimit të datës së zgjedhjeve për në muajin qershor. Dy ditë më parë socialistët kanë votuar kundër propozimit të reformatorëve për t'i zhvilluar votimet në muajin qershor. Sipas PS-së, kjo kërkesë është antikushtetuese, pasi në ligjin themeltar të shtetit është e shprehur qartë se votimet zhvillohen nga data 3 korrik deri më 3 gusht. Një vendim i tillë detyron kreun e shtetit që të dekretojë si datë të votimeve një të diel të muajit korrik. Kodi Zgjedhor, i miratuar pak muaj më parë, cilëson se kreu i shtetit ka afat për të shpallur ditën e zgjedhjeve deri më 26 qershor.