E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Kryeprokurorja Ina Rama, e papërgjegjshme

Kryeministri Berisha ka akuzuar Prokuroren e Përgjithshme Ina Rama si të papërgjegjshme, duke paralajmëruar veprime kundër organit të akuzës, por nuk ka treguar se cili ishte skenari i maxhorancës kundër Ina Ramës. Vetëm pak ditë pasi Gjykata e Lartë ka pushuar çështjen Basha për dosjen e rrugës Durrës-Kukës, kryeministri Berisha ka sulmuar hapur prokuroren e përgjithshme, gjatë përgjigjes lidhur me çështjen e ministrit të jashtëm Lulëzim Basha, ku pohoi se prokuroria u mor me gjykimin e një akti kolektiv, por duke qenë që ministri nuk ka implikim personal ky gjykim i prokurorisë nuk mund të bëhet. Kryeministri Berisha ka shfajësuar ministrin Basha dhe ka akuzuar prokurorinë, që sipas tij ka tentuar të hetojë një akt politik, gjë të cilën ai e konsideron si të pamundur. Këtë akt nuk e kanë bërë as në diktaturë, nuk e kanë bërë as prokurorët e sëmurë psikikë sepse nuk mund të gjykohet akti kolektiv. Por verbëria politike ka shtyrë Prokurorinë të merret me gjykimin e aktit kolektiv, i cili është akt politik. Ministri ka zero implikim personal, çdo gjë është vendim i Këshillit të Ministrave. Një prokurore e papërgjegjshme mendoi se mund të gjykonte aktet politike, por këto akte nuk mund të gjykohen. Nuk është Shqipëria një vend ku mund të gjykosh akte kolektive. Kjo nuk do të kapërcehet shumë lehtë, ka pohuar Berisha. Jo rrallë herë kryeministri ka sulmuar prokuroren e përgjithshme, të votuar nga maxhoranca që drejton, duke e akuzuar atë për përdorim politik. Në komunikimin e tij për mediat kreu i qeverisë doli hapur në krah të Fahri Balliut, një anëtari të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, për të cilin media publikoi ditë më parë dokumente që faktojnë bashkëpronësinë e vajzës së tij, vetëm 20 vjeçe me Mihal Delijorgjin, njërit prej të akuzuarve për ngjarjen e Gërdecit. Berisha sulmoi me këtë rast kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili sipas tij ka përfitimin e tij personal kur jep lejet e ndërtimit. Unë e di që Edi Rama është bashkëpronar në 30 pallate, i cili ka dhënë 30 leje dhe është bashkëpronar në 30 pallate, sepse Rama ku jep leje merr dy kate. Për atë ai ka bërë një sqarim ka dhënë një konferencë shtypi, ai që nuk ka dhënë sqarime është Edi Rama, u shpreh kryeministri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›