Berisha: “Kryetarët e komunave dhe të bashkive kanë bërë korrupsion me pronat”
Gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë kryeministri Berisha kërkoi fillimin e punës për zbatimin e ligjit për verifikimin e titujve të pronësisë. Kryeministri u shpreh se gjatë zbatimit të Ligjit 7501 për tokën bujqësore është bërë korrupsion me ndarjen e tokës. Veçanërisht korrupsioni është kryer nga kryetarët e komunave dhe të bashkive. “Ata që kanë grabitur tokën, në radhë të parë, janë pushtetarë dhe unë i garantoj qytetarët shqiptarë se në këtë shqyrtim nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë tendencë politike, të cilësdo ngjyrë apo grupim. Cilido pushtetar vendor apo qendror që ka përvetësuar tokën në kundërshtim me ligjin do të përballet me ligjin dhe humbjen përfundimtare të pronësisë mbi të. Grupi i dytë i abuzuesve të mëdhenj janë kryetarë bashkish dhe kryesisht komunash, që, me pusulla dhe kundrejt korrupsionit, në kundërshtim me Ligjin 7501, kanë ndarë dhe u kanë dhënë të tjerëve, qoftë edhe vjet, sasi të mëdha toke pa asnjë bazë ligjore dhe jetimë mbeten pronarët”, - është shprehur Berisha. Ai gjithashtu garantoi të gjithë fermerët që kanë përfituar nga Ligji 7501 se në rast se ato kanë përfituar në mënyrë të drejtë dhe të ndershme, nuk do të preken nga zbatimi i ligjit për verifikimin e titujve të pronësisë. “Dua t’i garantoj të gjithë fermerët dhe qytetarët shqiptarë që kanë marrë tokë në përputhje me Ligjin 7501, në përputhje me kriteret dhe në zbatim të këtij ligji, se ky proces nuk u cenon atyre asnjë centimetër tokë. Partia Demokratike dhe koalicioni i partive të maxhorancës nuk ka pranuar dhe nuk do të pranojë të ndryshojë Ligjin 7501”, - është shprehur Berisha. Më tej ai kërkoi nga zëvendëskryeministri Genc Pollo, në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe specialistë të fushës, të hartojnë programin e punës për t’i dhënë një përgjigje sa më të shpejtë problemit të verifikimit të titujve.
14 Gusht 2008